• E enjte, 11 Dhjetor, 2025

Bujar Osmani promovon programin “Me zemër për të moshuarit”

EA
Tetor07/ 2025

Kandidati i koalicionit Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) për kryetar të Çairit, Bujar Osmani, në kuadër të fushatës sensibilizuese për zgjedhjet lokale të 19 tetorit, sot (07 tetor) ka dalur me disa ide konkrete dedikuar të moshuarve. Se për çfarë idesh bëhet fjalë, ai këtë e ka elaboruar në një status në Facebook:

“Kujdesi ndaj të moshuarve nuk është detyrim – është masë e njerëzillëkut dhe respektit. Ata e ndërtuan këtë qytet, këtë komunitet dhe e meritojnë mbështetjen tonë sot, kur ajo u duhet më shumë.

Prandaj e krijuam Programin “Me zemër për të moshuarit” – real, i qëndrueshëm dhe njerëzor:

 kartela “Vitet e Arta” – mundëson zbritje në farmaci, markete, institucione kulturore dhe shërbime të tjera me interes publik;

 mbështetje financiare prej 2.500 denarësh për pensionistët me të ardhura më të ulëta, me synim që gradualisht të rritet në 5.000 denarë;

 subvencione për kujdes cilësor dhe ndihmë në kushte shtëpiake, që të moshuarit të mund të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, pranë më të dashurve të tyre;

 ekipa shëndetësore mobile dhe klube të reja pensionistësh – sepse pleqëria duhet të nënkuptojë siguri, dinjitet dhe bashkësi, jo izolim.

Këto nuk janë premtime, kjo është detyra jonë  me respekt, me zemër dhe me vepra!”, ka shkruar Bujar Osmani.

Spread the love