Në kuadër të muajit të shëndetit të grave dhe në një takim me shumë gra nga Çairi, kandidati për kryetar të komunës së Çairit nga Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI), Bujar Osmani, prezantoi masa konkrete për parandalimin dhe luftën kundër kancerit të gjirit.
Në këtë ngjarje të rëndësishme, Osmani njoftoi se do të ofrohen:
-Kontrolle parandaluese falas dhe të subvencionuara për gratë e Çairit
-Mbështetje lokale për çdo grua që përballet me sfidën e kancerit të gjirit
-Politika të ndjeshme gjinore për një komunë më humane dhe të përgjegjshme
“Kjo nuk është pjesë e një fushate, por një obligim jetësor. Asnjë grua e Çairit nuk do të mbetet vetëm në betejën e saj,” theksoi Bujar Osmani.
Ai shtoi se beson fuqimisht në forcën dhe udhëheqjen e grave, dhe se së bashku mund të ndërtojnë një Çair më të shëndetshëm, më të drejtë dhe më human për të gjithë qytetarët.
Ndërkaq në komunikimin e tij të rregullt “live” me qytetarët, Bujar Osmani sot ( 05 tetor) informoi opinionin për aktivitetet e realizuara gjatë ditës së djeshme dhe planin e punës për ditën e sotme.
Gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë, Osmani iu përgjigj pyetjeve të qytetarëve, ndër të cilat edhe një pyetje lidhur me zhvillimin e lagjes Topanë, e njohur për kushtet e vështira socio-ekonomike të banorëve.

Në këtë kontekst, Bujar Osmani premtoi hapjen e një kuzhine popullore për banorët e kësaj lagjeje, e cila do të realizohet në bashkëpunim me organizatat joqeveritare dhe do të financohet nga Komuna e Çairit.
“Topana është një nga lagjet më të varfra të komunës sonë, ku njerëzit jetojnë në kushte të vështira. Duhet të fillojmë nga gjërat më elementare, nga ushqimi. Prandaj do të hapim kuzhinën popullore për të ndihmuar familjet në nevojë. Më pas do të ndërhyjmë edhe me projekte infrastrukturore, për të cilat tashmë kemi një plan konkret për atë pjesë të Çairit,” deklaroi Osmani./GazetaFAKTI
