Për herë të 49-të sot ka dështuar përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kërkoi sërish sot nga subjektet politike parlamentare të cilat nuk i kanë propozuar emrat për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit që ta bëjnë këtë, por propozime nuk pati.
Nga 90 deputetë të pranishëm në sallë, per votuan 50 deputetë, nuk pati asnjë votë kundër e asnjë abstenim.
Dehari ndërpreu punimet dhe njoftoi se seanca e 50-të do të mbahet të hënën më 21 korrik.
Brahimaj: Limaj nuk ka vota për kryeparlamentar
Deputeti i AAK-së, Lahi Brahimaj, para nisjes së seancës, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se ka arritur një marrëveshje në parim me Listën Serbe dhe Nismën Socialdemokrate. Ai theksoi ka theksuar se nuk do të ketë votë për kreun e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.
““Që nga fillimi e kemi thënë që këta kanë një marrëveshje. Limaj e ka pranuar edhe vetë që janë takuar disa herë. Po, sigurisht nëse ata bien në dakordancë, votën time personale Limaj nuk do ta ketë”, ka deklaruar ai.
Hasani: Më shumë po kalkulojnë për interesa të ngushta sesa për interes të shtetit
Pak para nisjes së seancës, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Nait Hasani, ka thënë se kryetarët e partive parlamentare, pa përjashtim, më shumë po kalkulojnë për interesa të ngushta sesa për interes të shtetit.
“Secili kryetar, pa përjashtim, po kalkulon në interesa të ngushta dhe asnjë në interes të shtetit. Shteti i Kosovës ka nevojë për qeverisje, sidomos ka interes për Gjykatën Speciale pas rrëzimit të mocionit atje dhe t’i dalim në mbështetje të tyre”, ka derklaruar Hasanii.
Të enjtën ka dështuar seanca e 48-të për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.
Në hapje të saj kryesuesi Avni Dehari, pasi konstatoi kuorumin në sallë, përsëriti kërkesën për subjektet politike për propozime për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit me votim të fshehtë.
Në mungesë të propozimeve, kryesuesi Dehari procedoi me hedhjen në votim të komisionit me anëtarët e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës. Për përbërjen e komisionit votuan 51 deputetë, ndërsa kundër dhe abstenim nuk pati.
Në këto rrethana kryesuesi Dehari ndërpreu seancën, duke paralajmëruar vazhdimin e saj për sot.
Izmaku: Presim sinjale pozitive nga takimi Kurti – Limaj
Deputetja nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, e cila mbrëmë deklaroi se takimi mes kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj do të mbahet sot pasdite, foli para seancës konstituive lidhur me këtë çështje.
Izmaku tha se Kurtit i kanë ofruar bashkëpunim, pa kushte. Derisa tha se mendon që është një zgjidhje shumë e mirë e ngërçit politik.
Ajo shtoi se edhe pse e vogël me numra, Nisma Socialdemokrate është alternativa reale për me zgjidh ngërçin politik.
“Ne presim që sot të zhvillohet takimi, pres një sinjal pozitiv nga ky takim që sot do të ndodh, pres vullnet pozitiv nga lideri i LVV. Ky është realiteti politik, Nisma dhe lideri Fatmir Limaj e ka kuptuar qysh në fillim dhe e ka zgjatë dorën e bashkëpunimit”, tha Izmaku.
Nura: PDK-ja mund ta votojë Limaj për kryeparlamentar
Deputeti i PDK-së, Fadil Nura, para vazhdimit të seancës së 49-të për tentim të konstituimit të Kuvendit, tha se PDK-ja mund ta votojë kryetarin e NISMA-s, Fatmir Limaj për kryeparlamentar, duke theksuar se PDK-ja ka interesim që të krijohen institucionet sa më parë.
Deputeti Nura tha se Limaj ka treguar një virtyt për të pasur pozitë shtetërore me dashurinë ndaj atdheut, e nëse nuk di ka këshilltarë ta mësojnë për këtë pozitë.
“Mendoj që PDK-ja, do të votoj Fatmir Limën për kryeparlamentar.. Limaj ka treguar një virtyt cilin e vlerësoj shumë dhe për me pas një pozitë shtetërore mendoj që njeriu duhet së pari ta dëshiron këtë vend edhe në çoftë se nuk din boll ka këshilltarë që mund ta mësojnë, mendoj se Limaj e do këtë vend. PDK ka interesim që të krijohen institucionet sa më parë, shpresoj që PDK të jep votën Limajt”, tha Nura.
Deputetët e zgjedhur do të mblidhen sot për herë të dyzet e nëntë herë (49), në vazhdimin e seancës për konstituimin e legjislaturës së nëntë duke filluar nga ora njëmbëdhjetë. Vazhdimi i kësaj seance vjen pas më shumë se pesë muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.
