• E mërkurë, 10 Qershor, 2026

Dibran Hoxhaj Kobra dënohet me 24 vjet burg, fajtorë shpallen edhe 4 të tjerë

EA
Tetor09/ 2025

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Dibran Hoxhajt i njohur si “Kobra” dhe katër të akuzuarve të tjerë për vrasjen e shtetasit të Shqipërisë në lokalin “Kobra City” më 3 janar 2023. “Kobra” u dënua me gjithsej 24 vjet burgim, Roland Susuri 7 vjet, Jesmir Badallaj  2 vjet, Arben Vezaj dhe Burim Mazreku u dënuan me nga një vit burgim, raporton KosovaPress.

Në shpallje e këtij vendimi nuk ishte i pranishëm i akuzuari, Dibran Hoxhaj, ndërsa për shkak se ndaj tij është caktuar masa e paraburgim mungoi edhe Roland Susuri.

Kryetari i trupit gjykues në këtë rast, Kujtim Krasniqi tha se të akuzuarve iu llogaritet edhe koha e qëndrimit në paraburgim.

Me më shumë se dy vjet heqje lirie u dënua i akuzuari tjetër Jesmir Badallaj – për veprën penale pjesëmarrje në rrahje një vit e gjashtë muaj burg dhe për armëmbajtje pa leje me 10 muaj burg.Ndërsa i akuzuari tjetër, Arben Vezaj  për pjesëmarrje në rrahje u dënua me një vit burgim. Me një vit burg u dënua edhe Burim Mazreku për veprën penale manipulim me prova. Të dy atyre iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Pas përfundimit të seancës, mbrojtja e Arben Vezaj dhe Burim Mazrekut dënimin e shqiptuar ndaj klientëve të tyre e kanë konsideruar të padrejtë.

Gent Gjini, avokati i Burim Mazrekut, tha se aktgjykimi duhet të apelohet pasi sipas tij i gjithë procesi gjyqësor është shoqëruar me shkelje ligjore.Edhe Blend Gjini mbrojtësi i Arben Vezaj vendimin e quajti të padrejtë.
Për vendimin e shkallës së parë palët kanë të drejtë ankese deri në 30 ditë, ndërsa armët e sekuestruara konfiskohen dhe urdhërohen për shkatërrim.

Prokuroria Speciale e Kosovës më 20 shkurt 2024 kishte ngritur aktakuzë kundër Dibran Hoxhajt i njohur si Kobra dhe Roland Susurit, Arben Vezajt, Burim Mazrekut dhe Jesmir Badalljt, për vrasjen e shtetasit të Shqipërisë në Prizren, më 3 janar 2023.

Spread the love