• E martë, 26 Maj, 2026

Ekspozohen dorëshkrimet e Dritëro Agollit

EA
Tetor16/ 2025

Pjesë të dorëshkrimit origjinal të romanit “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” nga Dritëro Agolli u ekspozuan në shtëpinë muze.
Shkrimtari u përkujtua në ditën e tij të lindjes përmes një aktiviteti në shtëpinë e tij muze, ku për herë të parë bëhen publike dhe pjesë të dorëshkrimit origjinal të romanit “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”.

Në ekspozitë gjenden edhe blloqet e shënimeve, ku nis gjeneza e romanit, revista “Hosteni” e vitit 1972, që e botoi për herë të parë, letërkëmbime origjinale, e deri te objekte personale të shkrimtarit, që sjellin afër njeriun pas veprës. Dhurimi i këtyre dokumenteve origjinale u bë nga e bija e Dritëroit, Elona Agolli. Ekspozita që u çel më 13 tetor do të qëndrojë e hapur për publikun deri në fund të vitit. Por edhe Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit zhvilloi  një aktivitet përkujtimor kushtuar jetës dhe veprës së shkrimtarit Dritëro Agolli, me rastin e ditës së tij të lindjes. Aktiviteti “Dritëro Agolli dhe universaliteti në veprën e tij” u zhvillua te qendra “Sotir Kolea”, ku të pranishëm ishin studiues të letërsisë, autorë të ndryshëm, etj. Dritëro Agolli ishte poet, prozator, gazetar dhe politikan i njohur gjatë gjysmës së dytë të shekullit të XX.

Ai është ndër shkrimtarët më të njohur në Shqipëri. Lindi më 13 tetor 1931 në Menkulas të Devollit dhe u nda nga jeta më 3 shkurt të vitit 2017. Pasi mori mësimet e para në vendlindje, vazhdoi gjìmnazin e Gjirokastrës. Studimet e larta për letërsi i mbaroi në Petërburg. Për shumë kohë, Agolli ishte gazetar në të përditshmen “Zëri i popullit”, dhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Ai la pas një krijimtari mjaft të gjerë me poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash, etj.

Spread the love