Shkup, 16 korrik – Sot, në af;rsi Shtipit, do të vendoset gurthemeli i Parkut të Energjisë me Erë, një investim prej mbi 500 milionë dollarësh nga kompania “Alcazar Energy”, i cili pritet të krijojë 630 vende të reja pune.
Në fillimin e punimeve ndërtimore në parkun më të madh të energjisë me erë në vendin tonë, do të jenë të pranishëm dhe do të mbajnë fjalimet e tyre kryeministri Hristijan Mickoski, ministri i Transportit dhe Lidhjeve Aleksandar Nikolovski, si dhe bashkëthemeluesi dhe partneri menaxhues i “Alcazar Energy”, Daniel Calderon.
Parku i energjisë me erë, i cili përfaqëson investimin më të madh në fushën e burimeve të energjisë së rinovueshme në rajon, do të vendoset midis Shtipit, Karbincit dhe Radovishit, duke mbuluar një sipërfaqe prej afërsisht 326 hektarësh.
Është planifikuar të instalohen 55 turbina me erë që do të gjenerojnë energji elektrike të mjaftueshme për të furnizuar rreth 100,000 familje.
Alcazar Energy thekson se zbatimi i projektit do të sjellë përfitime të konsiderueshme për ekonominë, sektorin e biznesit dhe qytetarët, “krijon vlerë të qëndrueshme për vendin dhe hap potencial të madh për zhvillim të mëtejshëm”.
Ky park eolik përfaqëson gjithashtu një hap të rëndësishëm drejt forcimit të stabilitetit energjetik dhe arritjes së objektivave të vendit në lidhje me energjinë e rinovueshme.
