Forca e Sigurisë së Kosovës ka filluar operacionin për kërkirmin e trupit të personit që dëshohet të jetë mbytur në Liqenin e Ujmanit.
Nga Ministria e Mbrojtjes i kanë thënë portalit rtv21.tv se ekipet e kërkimshpëtimit të Forcës, tashmë ndodhen atje.
“Komfirmojmë që me kërkesë të Qendrës së Situatave të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe pas bashkërendimit në mes të Ministrit të Mbrojtjes dhe Komandantit të KFOR-it, trupat e FSK-së të njësisë së kërkim-shpëtimit, sot në mëngjes kanë filluar operacionit e kërkimit të trupit të personit që dyshohet të jetë mbytur në liqenin e Ujmanit. Ndonëse FSK me planin e reagimit kombëtar ështe reagues i tretë në këto fusha, për shkak të mungesës së këtyre kapaciteteve në nivel vendi, pjesëtarët tanë të specializuar për zhytje profesionale të kërkim-shpëtimit do të vazhdojnë operacionin e kërkimit deri në gjetjen e trupit”, ka konfirmuar zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes, Liridona Gashi.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci njoftoi se njësitet e specializuara të zhytjes dhe kërkim shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës sot në mëngjes janë angazhuar në mbështetje të autoriteteve civile për kërkimin e trupit të mërgimtarit në liqenin e Ujmanit në Komunën e Zubin Potokut.
“Forca e Sigurisë së Kosovës në kuadër të detyrave të saj thelbësore ka edhe mbështetjen e autoriteteve civile. Në këtë aspekt në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Policinë e Kosovës dhe bashkërendim me KFOR, ekipet e specializuara të FSK kanë filluar operacionin e kërkimit në liqenin e Ujmanit me synimin që sa më shpejtë të nxirret trupi i mërgimtarit dhe t’i lehtësohet dhimbja familjes.”, shkroi Maqedonci në Facebook.
