Gjyqtari i njohur amerikan, Frank Caprio i njohur për dhembshurinë në sallën e gjyqit është ndarë nga jeta në moshën 88-vjeçare.
Ai vuante nga kanceri i pankreasit dhe një ditë para humbjes së jetës ai publikoi në rrjetet sociale një video ku fliste nga shtrati i spitalit.
“Vitin e kaluar, ju kërkova të luteni për mua, dhe e kam të qartë që e bëtë, sepse kalova një periudhë shumë të vështirë” thotë Caprio. “Fatkeqësisht, kam pasur një përkeqësim. Jam përsëri në spital tani dhe ju kërkoj sërish të më kujtoni në lutjet tuaja. Unë besoj fort të pushteti i lutjes. Unë besoj se i Gjithëpushtetshmi që është sipër nesh po na sheh, ndaj ju lutem më kujtoni….”, thotë ai.
Caprio ka shërbyer për katër dekada në Gjykatën e Qarkut në Providence dhe u emërua gjykatës në vitin 1985. Ai fitoi zemrat e publikut përmes serialit televiziv “Caught in Providence”, i cili u nominua për çmimin prestigjioz “Daytime Emmy Aëard” në vitin 2021. Klipet nga sallat e gjyqit ku ai dëgjonte me kujdes dhe dhembshuri historitë e qytetarëve u bënë virale në rrjetet sociale.
Në janar të vitit 2023, Caprio njoftoi largimin nga detyra, ndërsa në fund të po atij viti u diagnostikua me kancer të pankreasit.
“Gjykatësi Frank Caprio u nda nga jeta në paqe, pas një beteje të gjatë dhe të guximshme me kancerin. Ai ishte i dashur për dhembshurinë, përulësinë dhe besimin e palëkundur në mirësinë e njerëzve. Përmes punës së tij, ai preku jetët e miliona njerëzve dhe la pas një trashëgimi të thellë të mirësisë dhe drejtësisë. Do të kujtohet jo vetëm si një gjykatës i nderuar, por edhe si bashkëshort, baba, gjysh dhe mik i përkushtuar,” thuhet në deklaratën e familjes.
Në nder të tij, familja u bën thirrje të gjithëve që të përhapin më shumë dhembshuri – ashtu siç bënte ai çdo ditë të jetës së tij.
