Prokuroria Themelore Publike e Gostivarit ka lëshuar një urdhër për të zhvilluar procedurë hetimore kundër një nëne nga rajoni i Gostivarit për të cilën ekziston dyshimi i arsyeshëm se ka kryer një vepër penale ndaj dy fëmijëve të saj – një vajze të lindur në vitin 2015 dhe një djali të lindur në vitin 2022 – Neglizhencë dhe keqtrajtim i një fëmije sipas nenit 201, paragrafi 3 në lidhje me paragrafin 2 dhe paragrafin 1 të Kodit Penal.
Ajo dyshohet gjithashtu për – prodhim dhe shpërndarje të pornografisë me fëmijë sipas nenit 193-a, paragrafi 1, ndërsa dy gra të tjera dyshohen për – Përdhunim të fëmijëve nën moshën 15 vjeç, siç parashikohet në nenin 188, paragrafi 1 të Kodit Penal.
“Nëna tridhjetëvjeçare e neglizhoi rëndë detyrën e saj për t’u kujdesur për fëmijët dhe u lejoi dy grave 22-vjeçare të kryenin akte seksuale me fëmijët e saj. Gjatë kësaj kohe, nëna e regjistroi ngjarjen me një telefon celular dhe ia dërgoi videon me pornografi të fëmijëve nëpërmjet një aplikacioni bashkëshortit të saj, i cili ndodhej në Itali. Prokurori publik i paraqiti një propozim gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Gostivar për caktimin e masës së paraburgimit për tre të dyshuarit”, njoftoi Prokuroria Themelore Publike e Gostivarit në një deklaratë.
