• E mërkurë, 10 Qershor, 2026

Hamas synon të mbajë kontrollin e sigurisë në Gaza dhe nuk jep garanci për çarmatim

EA
Tetor17/ 2025

Hamas synon të ruajë kontrollin e sigurisë në Gaza gjatë një periudhe kalimtare dhe nuk mund të angazhohet për çarmatim të plotë, tha për Reuters një zyrtar i lartë i lëvizjes, duke reflektuar vështirësitë me të cilat përballet plani amerikan për t’i dhënë fund luftës.

Anëtari i Byrosë Politike të Hamasit, Mohammed Nazzal, deklaroi se grupi është i gatshëm për një armëpushim deri në pesë vjet, për të rindërtuar Gazën e shkatërruar, por me garanci për të ardhmen, që do të varen nga ofrimi i “shpresës dhe horizonteve për shtetësi” për popullin palestinez.

Në një intervistë nga Doha, ku përfaqësuesit politikë të Hamasit kanë qëndruar prej vitesh, Nazzal mbrojti aksionet e fundit të grupit në Gaza, përfshirë ekzekutimet publike të së hënës, të cilat ai i cilësoi si “masa të jashtëzakonshme në kohë lufte” kundër “kriminelëve të dënuar për vrasje”.

Presioni për çarmatim

Edhe pse Hamas ka shprehur më parë qëndrime të ngjashme, koha kur Nazzal i bëri këto deklarata tregon pengesat e mëdha që mbeten për të arritur një marrëveshje të plotë paqeje në Gaza, vetëm disa ditë pas fazës së parë të armëpushimit.

Deklaratat e tij theksojnë ndarjet e thella mes pozicioneve të Hamasit dhe planit të presidentit amerikan Donald Trump për Gazën, përpara negociatave që pritet të trajtojnë çështjen e armëve të Hamasit dhe mënyrën se si do të qeveriset Gaza në periudhën pas luftës.

Në një reagim për Reuters, zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu tha se Izraeli është i përkushtuar ndaj marrëveshjes së armëpushimit dhe po zbaton detyrimet e veta sipas planit:

“Hamas duhet të lirojë të gjithë pengjet në fazën e parë. Nuk e ka bërë. Hamas di se ku janë trupat e pengjeve tanë. Sipas marrëveshjes, Hamas duhet të çarmatose. Pa nëse, pa por. Nuk e ka bërë. Hamas duhet t’i përmbahet planit me 20 pika. Po i mbaron koha,” thuhet në deklaratë.

Plani i Trump, i shpallur më 29 shtator, kërkonte që Hamas të kthente menjëherë të gjithë pengjet, përpara se të angazhohej për çarmatim dhe të dorëzonte qeverisjen e Gazës një komiteti teknokratik të mbikëqyrur nga një organ ndërkombëtar tranzitor.

Spread the love