Grupet militante palestineze të udhëhequra nga Hamasi thanë sot se rezistenca nuk do të mbarojë derisa të mbarojë “pushtimi” dhe të krijohet një shtet i pavarur palestinez dhe plotësisht sovran me Jerusalemin si kryeqytet, duke iu përgjigjur të ashtuquajturës “Deklaratë e Nju Jorkut” që i bëri thirrje grupit të lëshonte armët, njoftojnë mediat Perëndimore.
“Deklarata e Nju Jorkut”, e përgatitur nga Franca dhe Arabia Saudite, bashkëkryetarët e konferencës, dhe e mbështetur nga 15 vende të tjera (përfshirë Brazilin, Kanadanë, Turqinë, Jordaninë, Katarin, Egjiptin dhe Britaninë e Madhe), si dhe Bashkimin Evropian dhe Ligën Arabe, bën thirrje për t’i dhënë fund luftës në Gaza dhe për arritjen e “një zgjidhjeje të drejtë, paqësore dhe të qëndrueshme për konfliktin izraelito-palestinez bazuar në zbatimin e një zgjidhjeje me dy shtete”.
Në këtë kontekst, këto vende theksojnë se “qeverisja, zbatimi i ligjit dhe siguria në të gjithë territorin palestinez duhet të jenë përgjegjësi e vetme e Autoritetit Palestinez, me mbështetjen e duhur”.
Këto deklarata pasqyrojnë angazhimet që Presidenti Palestinez Mahmoud Abbas mori në qershor në përgatitje për këtë konferencë dhe në perspektivën e bindjes së më shumë vendeve për të njohur një shtet palestinez. Edhe pse Asambleja e Përgjithshme e OKB-së nuk e dënoi kurrë sulmin e 7 tetorit 2023 nga Hamasi, i cili çoi në hakmarrje izraelite në Gaza, teksti e dënon sulmin.
