• E martë, 21 Prill, 2026

Ja pse Palestina nuk e njeh shtetin e Kosovës

EA
Shtator25/ 2025

I ftuar në një intervistë për Euronews Albania, ambasadori i Palestinës në Tiranë, Sami Mhanna, iu përgjigj gazetarit Thimi Samarxhi në lidhje me arsyen pse shteti i Palestinës nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Gazetari Samarxhi theksoi se shumë shqiptarë mbështesin çështjen palestineze, por nuk e kuptojnë pse Palestina nuk e ka njohur ende Kosovën që nga shpallja e pavarësisë.

Ambasadori tha se kjo pyetje i është bërë shpesh në media dhe se është i vetëdijshëm për përkrahjen e shqiptarëve ndaj Palestinës. Ai theksoi se Palestina nuk ka asnjë problem me popullin e Kosovës dhe se marrëdhëniet me qytetarët kosovarë janë të mira.

“Që kur Kosova vendosi ambasadën e saj në Jerusalem, ne e konsiderojmë atë një shkelje të hapur të ligjit ndërkombëtar. Kjo është arsyeja pse Palestina nuk e njeh Kosovën”, deklaroi ambasadori.

Lidhur me qëndrimin e Shqipërisë në forumet ndërkombëtare, ku shpesh është pozicionuar në mënyrë neutrale ndaj çështjes palestineze, ambasadori u shpreh i zhgënjyer.

“Kam folur me presidentin Bajram Begaj, i cili na mbështet. Do të doja që qeveria shqiptare të na mbështeste më shumë. Nuk e kuptoj pse Shqipëria abstenon në forumet ndërkombëtare dhe pse na e ka kthyer shpinën, kur lufta nuk është mes Izraelit dhe Hamasit, por mes Izraelit dhe popullit tonë”, u shpreh ai.

Spread the love