Kanditatët për kryetar të Çairit nga AKI dhe VLEN, kanë zgjedhur mënyra të ndryshme për t’iu drejtuar mbështetëseve të tyre. Që të dy kandidatë angazhohen për një Çair më të pastër, më të dinjitetshëm dhe me një vizion krejt të ri.
Kandidati i koalcionit AKI, për kryetar të Çairit, Bujar Osmani, e ka përmbyllur fushatën zgjedhore pranë familjes. Me këtë rast ai k shkruar një status në Facebook.
“Fushatën e përmbyll me më të dashurit, që janë motivimi im më i madh në jetë.
Gjithçka që bëj dhe për gjithçka që luftoj është për t’u lënë një të ardhme më të mirë gjeneratave të reja.
Në minutat e fundit para heshtjes zgjedhore, dua ta dërgoj mesazhin e fundit:
Të dielën, të dalim të gjithë, masivisht, në një votim referendumi dhe të zgjedhim ndryshimin.

Këto janë zgjedhje historike, ku çdo votë është një investim në ndryshimin që secili prej jush e dëshiron.
Fitorja në Çair do të sjellë rregull, punë të ndershme dhe një të ardhme të ndritur për komunën tonë,
por do të thotë edhe rrëzim të kësaj qeverie dhe kthim të dinjitetit të shqiptarëve, të drejtave të barabarta dhe perspektivës evropiane”, ka shkruar Osmani.
Në tubimin përmbyllës të koalicionit VLEN, njëri nga krerët e tij, Izet Mexhiti, theksoi dallimin mes fushatës së VLEN-it dhe kundërshtarëve politikë, duke u shprehur se kjo ishte një ndër fushatat më të qarta në historinë e demokracisë vendore.

“Për herë të parë kemi pasur një fushatë ku njëra palë ka folur për projektet, për punët konkrete të realizuara në pushtetin lokal – dhe ajo palë jemi ne. Ndërsa pala tjetër ka folur për folklorizma, pa sjellë asnjë argument konkret për atë që kanë bërë gjatë viteve të qeverisjes në komuna, apo për atë që pretendojnë të bëjnë nëse fitojnë ndonjë komunë,” deklaroi Mexhiti.
Ai theksoi se qytetarët tashmë kanë bërë dallimin mes propagandës dhe rezultateve reale, duke u bërë thirrje që të dielën ta vulosin ndryshimin përmes votës./ GazetaFAKTI
