Kancelari gjerman Friedrich Merz tha të premten se evropianët duhet të jenë të përgatitur për një luftë të zgjatur në Ukrainë për shkak të, siç tha ai, mosgatishmërisë së Rusisë për t’u angazhuar në negociata, njofton “Fenix-Magazin”.
Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp me Presidentin francez Emmanuel Macron në Toulon, Merc tha se, pavarësisht shpresave të ngritura nga përpjekjet diplomatike të Presidentit të SHBA-së Donald Trump, një takim midis udhëheqësve rusë dhe ukrainas po bëhej i pamundur.
“Padyshim që nuk ka gatishmëri të Presidentit Putin për t’u takuar me Presidentin Zelensky. Ai po vendos parakushte që janë thjesht të papranueshme”, u tha Merc gazetarëve.
Ai shtoi gjithashtu: “Sinqerisht, nuk më habit, sepse është pjesë e strategjisë së presidentit rus”, tha kancelari gjerman.
Udhëheqësi konservator tha se Amerika dhe aleatët e saj evropianë duhet të shqyrtojnë me kujdes hapat e mundshëm javën e ardhshme për të rritur presionin ndaj Rusisë, duke e detyruar atë të hyjë në një proces diplomatik me Ukrainën dhe të pranojë një armëpushim.
“Megjithatë, nuk kam iluzione as për këtë. Kjo luftë mund të zgjasë për shumë muaj të tjerë. Ne duhet të jemi të përgatitur për këtë në çdo rast. Ne po përgatitemi për të në koordinim të ngushtë me partnerët tanë evropianë, amerikanët, si dhe me ‘koalicionin e të vullnetshmëve'”, shpjegoi Merc, cituar nga “Fenix-Magazin”.
