Kështjella historike Hillsborough në Irlandën e Veriut do të jetë sfondi për një takim të ministrave të jashtëm mbi Ballkanin Perëndimor në fund të këtij viti, njoftoi Ministria e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar.
Takimi është pjesë e një serie më të gjerë bisedimesh që Mbretëria e Bashkuar po organizon për të ndërtuar qëndrueshmëri, për të luftuar migracionin e paligjshëm dhe për të nxitur rritjen ekonomike.
Vend historik
“Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar e vendos pajtimin e përhershëm midis fqinjëve në rajonin e Ballkanit Perëndimor në qendër të diskutimeve, ndërsa rajoni përballet me kërcënime në rritje nga paqëndrueshmëria, korrupsioni dhe bandat kriminale që kërcënojnë sigurinë dhe rritjen e Mbretërisë së Bashkuar”, u theksua në deklaratë.
Sekretari i Jashtëm Britanik David Lammy do të presë më shumë se 15 ministra evropianë në Belfast nga 8 tetori dhe do të udhëheqë bisedimet mbi promovimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor, forcimin e sigurisë kolektive të Evropës dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe rrjeteve të kontrabandës së njerëzve.
Vendndodhja e Qarkut Down ka qenë mikpritëse e momenteve kyçe në politikën britanike dhe irlandeze, duke përfshirë negociata intensive që shpëtuan bisedimet e paqes nga dështimi, zgjidhën dekada të tëra ndarjesh ndërkomunale në Irlandën e Veriut dhe hapën rrugën për Marrëveshjen e Belfastit (Marrëveshja e së Premtes së Madhe), të nënshkruar në vitin 1998 nën qeverinë e fundit laburiste.
Me mosmarrëveshjet e pazgjidhura dhe tensionet etnike në rritje në Ballkanin Perëndimor që sfidojnë aspiratat evropiane dhe e lënë rajonin të prekshëm ndaj ndikimeve të këqija, Sekretari i Jashtëm Britanik tha se do të mbështetej në përvojat e procesit të paqes dhe shembujt praktikë të kohezionit komunitar të pranishëm në Irlandën e Veriut sot.
Ministri Lammy tha se Kështjella Hillsborough është “një kujtesë prekëse e fuqisë së diplomacisë për të transformuar konfliktin dhe ndarjen në paqe dhe bashkëpunim afatgjatë”.
Ai shprehu shpresën se, duke përdorur përvojën e Irlandës së Veriut, do të mbështeste partnerët në Ballkanin Perëndimor për të kapërcyer sfidat e së kaluarës përmes pajtimit të vërtetë dhe për të ndihmuar në ndërtimin e një të ardhmeje të sigurt dhe të begatë.
Ai shtoi gjithashtu se, si pjesë e Planit për Ndryshim, Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar është e përkushtuar për forcimin e partneriteteve me Evropën, duke siguruar një themel të fortë të stabilitetit ekonomik, kufijve të sigurt dhe sigurisë kombëtare.
Përvoja e Irlandës së Veriut
Deklarata përmend gjithashtu deklaratën e Sekretares për Irlandën e Veriut, Hilary Benn, e cila theksoi rëndësinë e përvojës së Irlandës së Veriut në arritjen e paqes përmes Marrëveshjes së Belfastit pas dekadash konflikti, e cila vendosi një shembull të fortë pajtimi për të gjithë botën.
“Ofron një trashëgimi shprese, si dhe përvojë praktike që besoj se do të jetë e paçmuar për partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor, ndërsa ata përshkojnë një rrugë të ngjashme drejt paqes dhe prosperitetit. Si një hapësirë që ka shërbyer për shumë vite për ndërtimin e paqes dhe politikën, është e përshtatshme që Kalaja Hillsborough u zgjodh për të pritur këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare”, shprehet Benn.
Drejtoresha e Kështjellës Hillsborough, Laura McCorry, gjithashtu theksoi rëndësinë e kësaj kështjelle , pasi që, sipas saj, ajo “për shekuj me radhë ka qenë një vend ku njerëzit bashkohen për të formësuar një të ardhme të përbashkët”.
Ajo shtoi se kalaja qëndron si një provë e gjallë e fuqisë së dialogut dhe pajtimit në një vend ku paqja luftohet me vështirësi dhe shprehu shpresën se do të ofrojë një mjedis frymëzues për takimin.
Roli i Mbretërisë së Bashkuar
Mbretëria e Bashkuar ka një rol afatgjatë dhe një trashëgimi të rëndësishme në promovimin e sigurisë në rajon, përfshirë Kosovën, ku ka ruajtur një prani përmes misionit KFOR të NATO-s që nga viti 1999.
Që nga zgjedhjet e vitit të kaluar, Mbretëria e Bashkuar ka rritur angazhimin me vendet në Ballkanin Perëndimor për të zbatuar Axhendën për Ndryshim, duke përfshirë goditjen ndaj rrjeteve të kontrabandës së njerëzve që shfrytëzojnë rajonin si një pikë hyrjeje në Evropë.
Vetëm vitin e kaluar më shumë se 55,000 njerëz u kontrabanduan në vende të tjera përmes rrugëve përmes Ballkanit Perëndimor dhe se kjo qeveri po ndërmerr hapa konkretë për ndryshim, duke përfshirë një marrëveshje të përbashkët mbi krimin e organizuar të imigracionit të nënshkruar me Serbinë gjatë vizitës së Sekretarit të Jashtëm Britanik në rajon në prill, kur ai vizitoi edhe Kosovën.
Në maj, Lammy vizitoi gjithashtu Bosnjën dhe Hercegovinën, mes paqëndrueshmërisë së saj politike, dhe si pjesë e aktiviteteve dhe angazhimit të shtuar të Mbretërisë së Bashkuar në Ballkanin Perëndimor.
Këtë vit, kryeministri zgjeroi Grupin e Përbashkët të Punës për Migracionin me Shqipërinë dhe Kosovën për të përfshirë Maqedoninë e Veriut. Ky grup bashkon ekspertë nga vendet e përfshira me qëllim hartimin dhe zbatimin e një operacioni për të zbuluar, penguar dhe menaxhuar migracionin e paligjshëm.
Muajin e kaluar, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar nisi regjimin e parë të sanksioneve në botë që synon migracionin e parregullt dhe kriminelët e trafikimit të njerëzve, përfshirë ata nga Ballkani Perëndimor, duke synuar drejtpërdrejt rrjetet e liga “që përfitojnë nga vuajtjet njerëzore”.
Takimi i ministrave të jashtëm është pjesë e kryesimit të Mbretërisë së Bashkuar të Procesit të Berlinit në vitin 2025 – një forum ndërkombëtar kyç i nisur nga Gjermania. Procesi i Berlinit bashkon gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, së bashku me vendet partnere evropiane, me qëllim inkurajimin e bashkëpunimit rajonal dhe ekonomik në Ballkanin Perëndimor.
Gjithashtu në tetor, Sekretari i Brendshëm do të organizojë një takim të Ministrave të Brendshëm të fokusuar në migracionin, dhe Kryeministri do të organizojë Samitin e Udhëheqësve në Londër, sipas një deklarate nga Ministria e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar./Fena
