• E premte, 24 Prill, 2026

Këta janë dronët turq që mbërritën në Prishtinë: Kryeministri Kurti i priti personalisht në aeroport

EA
Tetor09/ 2025

Dronët luftarakë turq “Skydagger”, të cilët u dorëzuan nga Qeveria e Turqisë, zbarkuan të mërkurën në aeroportin “Adem Jashari” në Pristinë.Pamjet e siguruara nga Euronews Serbia tregojnë momentin e dorëzimit të këtyre armëve, dhe fakti që kryeministri Albin Kurti mori pjesë personalisht në pritjen e dronëve, tërhoqi vëmendje të veçantë.

Kurti, siç shihet në video, mbikëqyri shkarkimin e dronëve nga aeroplanët transportues. Këto janë dronë luftarakë kamikaze të gjeneratës së fundit, të aftë për të goditur me saktësi objektivat në distanca të gjata, gjë që shkakton shqetësim në rajon për një prishje të mundshme të ekuilibrit të sigurisë.

Me këtë rast, Kryeministri Kurti ka shkruar edhe një status në Facebook:

“Kontejnerët me mijëra dronë luftarakë kamikazë Skydagger mbërrinë sot në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Dhjetëra ushtarakë të FSK-së tashmë janë trajnuar për përdorimin e tyre.

Kontrata është nënshkruar në dhjetor të vitit të kaluar me Kompaninë e mirënjohur turke Baykar, që është kompani amë e prodhuesit Skydagger. Dronët Skydagger ishte planifikuar të mbërrijnë në janar 2026, por i morëm tre muaj më herët.

Këta dronë kamikaz të njohur edhe si FpV të tipit RTF (Ready to Fly) Skydagger të prokuruar nga ne janë dronë luftarak të pajisur me mjete shpërthyese me qëllim goditjen e objektivave lëvizëse dhe statike të armikut.

Me blerjen e këtij kontingjenti të fluturakeve pa pilot, krahas TB2 Bayraktar dhe fluturakeve Puma po vazhdojmë të ngrisim dhe shtojmë fuqinë goditëse të ushtrisë sonë me qëllim ndërtimin e një force të aftë dhe koherente me zhvillimet e reja teknologjike dhe taktikat e luftës bashkëkohore.

Dronët u ngarkuan në kamionët multifunksional Rheinmetall 8×8 që i patëm marrë vitin e kaluar, 15 sosh gjithsej, 10 të blera nga ne dhe 5 donacion”, ka shkruar Kurti.

Dorëzimi i armëve turke në Prishtinë shkaktoi reagime të stuhishme në Beograd, ku veprimi i Ankarasë vlerësohet si “një shkelje e rëndë e së drejtës ndërkombëtare, Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit”, tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në një fjalim të jashtëzakonshëm për publikun, ndërsa Ministri i Punëve të Jashtme, Marko Gjuriç, tha në rrjetin social “X” se bëhet fjalë për “shtimin e vajit në zjarr” dhe “ndërhyrjen keqdashëse në çështjet rajonale”.

“Tani është plotësisht e qartë se Turqia nuk dëshiron stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe se ëndërron përsëri restaurimin e Perandorisë Osmane. Serbia është një vend i vogël, por ne e kuptuam mirë mesazhin!”, tha Presidenti Vuçiç në një postim në Twitter.

Sipas informacioneve të deritanishme, rreth 1,000 dronë luftarakë turq “Skydagger” kanë mbërritur në Prishtinë, dhe dërgesa u prezantua si pjesë e “partneritetit strategjik” midis Ankarasë dhe Prishtinës, shkruan Euronews Serbia.


Spread the love