• E premte, 23 Janar, 2026

Komisioni Europian shuplakë Maqedonisë së Veriut: Mbetet prapa në reformat ekonomike, konsolidimi fiskal është vonuar …

EA
Nëntor05/ 2025

Raporti i fundit i progresit i Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut pohon se qeveria nuk ka bërë përparim në reformat kryesore ekonomike, dhe planet për konsolidimin fiskal dhe zbatimin e plotë të Ligjit organik për buxhetin, të parashikuar fillimisht për vitin 2025, janë vonuar.

Sipas Komisionit, vendi ka bërë vetëm përparim të kufizuar në kriteret ekonomike dhe është në një “nivel të mirë përgatitjeje” për zhvillimin e një ekonomie tregu funksionale, por ende përballet me sfida serioze strukturore.

Raporti pohon se rritja reale e PBB-së u përshpejtua në vitin 2024, e nxitur nga konsumi privat dhe investimet publike, por pozicioni i jashtëm u përkeqësua dhe inflacioni u rrit përsëri që nga shtatori 2024 pas një rënieje të mëparshme.

Deficiti fiskal për vitin 2024 tejkaloi planin fillestar si rezultat i rritjes së pagave dhe pensioneve në sektorin publik, të cilat vonojnë procesin e konsolidimit fiskal dhe pajtueshmërisë me rregullat buxhetore.

Deficiti buxhetor është 4.4% e PBB-së, që është mbi nivelin e planifikuar, ndërsa investimet kapitale janë ulur dhe shpenzimet aktuale janë në rritje. Sipas raportit, shteti po shpenzon më shumë për paga dhe pensione, ndërsa projektet e zhvillimit janë të ngadalta dhe borxhi publik po tregon një trend shqetësues në rritje.

“Ekzekutimi i shpenzimeve kapitale të planifikuara vazhdon të vuajë për shkak të realizimit të dobët të investimeve publike. Përpjekjet për të formalizuar ekonominë informale kanë ngecur”, thuhet në dokumentin e Komisionit Evropian.

Në përfundim, Brukseli u bën thirrje autoriteteve në Shkup të përqendrohen në politikë fiskale të qëndrueshme, efikasitet më të madh në investimet publike dhe përshpejtim të reformave ekonomike për të përmirësuar konkurrueshmërinë dhe për të krijuar kushte për rritje të qëndrueshme.

Spread the love