• E shtunë, 8 Nëntor, 2025

Konstituohet Kuvendi i Kosovës, Nenad Rashiq zgjidhet për nënkryetar

EA
Tetor10/ 2025

Deputeti serb nga partia “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”, Nenad Rashiq, pasi u refuzua të propozohej nga Lista Serbe, u zgjodh për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës përmes shortit, raporton Ekonomia Online. Me këtë rast Kuvendi i Kosovës konsiderohet i konstituuar.

Rashiqi mori 71 vota për, 9 kundër dhe 24 abstenime, duke siguruar kështu votat e mjaftueshme për këtë pozitë.

Për Rashiqin votuan edhe deputetët e LDK-së, ndërsa PDK-ja dhe AAK-ja abstenuan, dhe Lista Serbe votoi kundër.

Pas zgjedhjes si nënkryetar i Kuvendit të Kosovës me 73 vota për, deputeti Nenad Rashiq ka falënderuar kolegët që e mbështetën dhe ka shprehur shpresën për një proces të shpejtë institucional, raporton Ekonomia Online.

“Jam shumë falënderues ndaj kolegëve të mi që sot votuan për mua dhe shpresoj se ky do të jetë një fillim i ri në ndërtimin e institucioneve, sa më shpejt që është e mundur”, u shpreh Rashiq pas votimit.

Pse LDK votoi pro?

Shefja e grupit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bjarami pas votimit të Nenad Rashiq për nënkryetar të Kuvendi të Kosovës, ka treguar se pse LDK votoi për Rashiq këtë herë.

“Ne votuam për Nenad sepse aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka dhënë një interpretim sipas asaj që kemi kuptu ai ka të drejtë të zgjidhjet si nënkryetar i komunitetit serb. E kemi parë nga fillimi qe varet nga partia e parë, nëse nuk do të formohet qeveria vota e LDK do të jetë për shpërbërje të kuvendit. Ka kaluar shumë kohë në mars kemi zgjedhjen e presidentit. Nuk e kemi pasur te qartë këtë qartësi e ka dhënë aktgjykimi e kemi pare që ka të drejtë të zgjidhet “, ka thënë ai.  

PDK: Konstitutimi i Kuvendit të Kosovës të jetë formal për formimin e qeverisë së re

Kryetari i PDK, Memli Krasniqi ka thënë se e rëndësishme për ta është që konstitutimi i Kuvendit të Kosovës të jetë formal për formimin e qeverisë së re, raporton Ekonomia Online.

“PDK që para 15 prillit ka qenë partia që ka mbajtur qëndrimet e saj. Ne kemi abstenuar me votime, është konsistuar Kuvendi apo jo duket se ende nuk e ka marrë formën e plote, ai ka qenë i domosdoshëm që nga 15 prilli. Për neve është e rëndësishme që konstituimi të jetë formal për formimin e qeverisë më të re. Të gjejmë mekanizëm për zgjedhje të parakohshme sa më parë, mbetet te shihet në vijim. Sa i përket ne si PDK edhe para gjykimit dhe pas gjykimit nuk jam i sigurt për konstituim sepse këtu nuk pat as short, e pashë që Kryetari i Kuvendit diskutojke me ata që i japin instruksione sot është konstatim që është bërë konstituimi si do të shkojë tutje mbetet të shihet. Tani do ta mbledhi grupin parlamentar me konstatimin e kryetarit është valid dhe shohim dhe bëjmë. Fokusi im është tek fitorja PDK-së në zgjedhjet lokale, sa i përket mundësisë të bërë qeverinë e partive do te shohim a i vie radha.

Lista Serbe: Kuvendi nuk është konstituuar
Pasi Nenad Rashiq u votua për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës, dhe Kuvendi u konstitutua, në foltoren e hollit të Kuvendit doli deputeti Igor Simiq, nga Lista Serbe. Këta të fundit vlerësojnë se Kuvendi nuk është konstituar.

Ai ka thënë se “edhe një herë u dëshmua se drejtësia dhe e drejta nuk ekzistojnë”.

Më  tej ai tha se “Sot nuk është përfunduar konstituimi i seancës së Kuvendit dhe mos lejoni të ju gënjejnë”.

Lista Serbe insiston se të drejtë për t’u zgjedhur nënkryetar nga radhët e komunitetit serb kanë vetëm deputetët e Listës Serbe pasi që ata përfaqësojnë vullnetin e shumicës së komunitetit serb.

Në vend të nëntë deputetëve të propozuar nga Lista Serbe, nënkryetar u zgjodh deputeti Nenad Rashiq, nga partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Rashiq ka qenë ministër në qeverinë e deritanishmë të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.

Spread the love