Në njoftimin e presidencës thuhet se më 8 maj, shefja e Stafit të Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Learta Hollaj, së bashku me përfaqësues të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe të Ambasadës së SHBA-së, me mbështetjen e Departamentit të Shtetit, realizuan një takim online me selinë qendrore të kompanisë Apple.
Siç thuhet në njoftim “qëllimi i prezantimit ishte të paraqiste qartë sfidat me të cilat përballet Kosova në raport me platformat dhe shërbimet e Apple, si dhe ndikimin e tyre në sektorin e biznesit dhe në sovranitetin dixhital të vendit. Me aktivizimin e Apple Pay, Kosova po hedh hapa të rëndësishëm dhe konkret drejt integrimit të plotë në ekosistemin dixhital ndërkombëtar”.
“Për më shumë se një vit, Presidenca, në bashkëpunim me Odën Ekonomike Amerikane e në koordinim me Ambasadën Amerikane, po punon për të avancuar sovranitetin dixhital të Kosovës dhe për të siguruar përfshirjen e saj në platformat globale”, thuhet në njoftimin e presidencës.
