Shteti i Kosovës është në gjendje të jashtëzakonshme të pashpallur – kështu e përshkruan situatën institucionale në Kosovë, politologu Dritëro Arifi, profesor në Kolegjin UBT në Prishtinë.
Sipas tij, kjo gjendje është pasojë e dështimit të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për të përmbyllur konstituimin e këtij institucioni deri më 26 korrik.
Kjo datë shënonte skadimin e afatit prej 30 ditësh të caktuar nga Gjykata Kushtetuese për deputetët e Kuvendit, të cilëve, sipas një vendimi të po kësaj gjykate të publikuar më 24 korrik, u ndalohet të ndërmarrin çdo vendim apo veprim për konstituimin e Kuvendit nga data 27 korrik e deri më 8 gusht.
Politologu Arifi rikujton se Kosova është shtet parlamentar dhe, përderisa Kuvendi i Kosovës është institucion që ratifikon çdo ligj vendor dhe marrëveshje ndërkombëtare si dhe mbikëqyr institucionet tjera të shtetit, mosfunksionimi i tij e çon vendin në një situatë problematike.
“Shumica e të gjitha institucioneve relevante, me të cilat funksionon një shtet – sidomos një Republikë parlamentare – varen kryesisht nga Kuvendi. Pra, pa votat e Kuvendit nuk funksionon asgjë… Shteti i Kosovës është në gjendje të jashtëzakonshme, veçse se nuk është e shpallur. Është faktike”, thekson Arifi në një bisedë me Radion Evropa e Lirë.
Çfarë pritet nga Gjykata Kushtetuese?
Gjykata Kushtetuese duhet të sqarojë me terma të prerë mënyrën e votimit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, si dhe të tregojë se afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit nuk është konsumuar.
Kështu vlerëson Zahir Çerkini, profesori i të Drejtës Kushtetuese në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë.
Ai pret që Gjykata Kushtetuese ta ritheksojë se zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit duhet të bëhet me votim të hapur të deputetëve.
“Kështu edhe e tha Gjykata (më 26 qershor), por e tha me terma më kushtetues. Pres të jetë më e hapur, më e artikuluar në drejtim të obligimit që institucionet të ulen dhe të votojnë në mënyrë të hapur për konstituimin e Kuvendit, zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit”, thekson Çerkini për Radion Evropa e Lirë.
Për t’i sqaruar çështjet kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit, Gjykatës Kushtetuese i janë drejtuar Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Ata janë në pritje të një vlerësimi të ri të Gjykatës Kushtetuese, pasi vendimi i saj i 26 qershorit nuk arriti të sqaronte në mënyrë të prerë rrugën për konstituimin e Kuvendit.
Gjykata Kushtetuese, më 26 qershor, u dha 30 ditë afat deputetëve të Kuvendit të Kosovës për konstituimin e Kuvendit.
Por, pas 52 përpjekjeve, ata nuk arritën ta përmbyllin këtë proces.
Presidentja e Kosovës ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese sqarimin e pasojave juridike të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh.
Kërkesa është regjistruar si lëndë e veçantë nga ana e gjykatës.
