• E shtunë, 17 Janar, 2026

“Kosova nën hijen e ndërtimeve”, investimet e huaja që nuk gjallërojnë ekonominë

EA
Shtator06/ 2025

Kosova nuk shihet vend atraktiv në sytë e investitorëve të huaj për të investuar. Vlerësohet se vendi ka stagnuar edhe në tërheqjen e investimeve të huaja produktive.

Gjithashtu jostabiliteti politik në vend, ka ndikuar që investitorët të mos ndjehen të sigurt që kapitalin e tyre ta investojnë në Kosovë në sektorin e prodhimtarisë. Patundshmëria dominon si sektori kryesor i investimeve të huaja direkte në Kosovë, por përfaqësues të komunitetit të bizneseve e shohin këtë trend si një sfidë për zhvillimin ekonomik të vendit. Ata e përshkruajnë këtë si një “ekonomi të vdekur”, ku përfitimet janë vetëm afatshkurtra dhe i shfrytëzojnë kryesisht shitësit dhe ndërtuesit, pa sjellë përfitime afatgjata për ekonominë në përgjithësi.

Mungesa e brendeve të huaja në treg

Sipas tyre patundshmëria nuk është investim real, duke kërkuar orientim drejt fabrikave dhe prodhimit. Siç thonë ata, vetëm investimet që hapin vende pune, ulin importin dhe rrisin eksportin, e ndihmojnë vërtet ekonominë e Kosovës.
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës dërguar për KosovaPress, në katërmujorin e parë të vitit 2025, sektori që prinë sa i përket investimeve të huaja, janë patundshmëritë. 

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna thotë se viteve të fundit vendi ynë ka dështuar të sjellë investime kualitative. Rafuna potencon se mbi 75 përqind e investimeve të huaja vazhdojnë të orientohen drejt sektorit të paluajtshmërive. Ai thekson se një përqindje kaq e lartë e investimeve në këtë sektor nuk përbën një tregues real zhvillimi dhe jep sinjal se vendi ka stagnuar në tërheqjen e investimeve të huaja produktive.

Investimi në patundshmëri është “ekonomi e vdekur”

Kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna vlerëson se investimi i huaj i vërtetë është ai që sjell kapital dhe krijon vende pune, siç është hapja e fabrikave me qindra punëtorë. 

Ai thekson se Kosovës i nevojiten investime cilësore që ulin importet dhe të rrisin eksportet, duke ndihmuar kështu zhvillimin ekonomik afatgjatë.Investimi në patundshmëri është “ekonomi e vdekur”. 

Krahas kësaj, drejtori ekzekutiv i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, Kushtrim Ahmeti thekson mungesën e ofertave serioze investuese në Kosovë, veçanërisht nga diaspora. 

Ai nënvizon se, në vend që të investohet në kapacitete prodhuese dhe të sillet ekspertiza e tyre e fituar jashtë vendit, paratë e diasporës po kanalizohen në sektorin e patundshmërisë. 

Ahmeti e quan “ekonomi të vdekur” këtë trend që sipas tij nuk prodhon vlera afatgjata. 

Siç thotë Ahmeti këto investime sjellin përfitime vetëm afatshkurtra për shitësin, blerësin dhe punëtorin, pa ndikuar në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

Bazuar në të dhënat zyrtare të BQK-së, pas patundshmërive, sektori që tërheq më së shumti investime të huaja janë aktivitetet financiare dhe të sigurimeve, ndjekur nga tregtia me shumicë, prodhimi, informacioni dhe komunikimi. Investimet e huaja direkte në Kosovë për periudhën janar-prill kanë qenë në nivel të ngjashëm me atë të vitit të kaluar, duke arritur në 276.8 milionë euro, me një rritje prej 0.4 përqind. 

“Nga të dhënat statistikore, sektori që prin sa i përket investimeve te huaja është ai i patundshmërive dhe me pas vjen ai i aktiviteteve financiare dhe te sigurimeve, tregtia me shumicë, prodhimi , informacion dhe komunikim etj. Investimet e huaja direkte në Kosovë në periudhën janar-prill kane arrit në 276.8 milionë euro , krahasuar me 275,6 milion në të njëjtën periudhe te vitit te kaluar apo 0.42 % me shumë se në të njëjtën periudhë te vitit paraprak. Investimet e huaja gjatë vitit 2024 kanë arritur shumën e 847,4 milionë euro”, thonë në një përgjigje me shkrim nga Banka Qendrore e Kosovës.Gjatë katërmujorit të parë të vitit 2025, Zvicra dhe Gjermania janë renditur si investitorët më të mëdhenj në Kosovë, Pas tyre, vijnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shqipëria.

Investimet e huaja direkte në Kosovë gjatë periudhës janar-prill 2023 ishin 251 milionë euro, derisa në periudhën e njëjtë të vitit 2022 kanë qenë 184 euro. 

Ndërkaq, investimet e huaja gjatë vitit 2024 kanë arritur shumën e 847,4 milionë euro,  gjatë tërë vitit 2023, investimet e huaja ishin 840.1 milionë euro,, në vitin 2022 po ashtu 732 milionë euro dhe në vitin 2021 kanë qenë 420. 7 milionë euro investime të huaja direkte.
/Kosovapress/

Spread the love