Opozita maqedonase po përjeton tronditjen më të madhe të viteve të fundit, pasi pothuajse e gjithë udhëheqja e LSDM-së ka dhënë dorëheqjen. Kriza e brendshme shpërtheu pas rezultatit të dobët në zgjedhjet lokale, duke thelluar përplasjet në partinë më të madhe socialdemokrate të vendit. Ndërkohë, kryetari Venko Filipce mbetet në detyrë dhe paralajmëron rikonstruktim të plotë të strukturave.
Në Maqedoninë e Veriut ka shpërthyer një krizë e thellë politike brenda opozitës maqedonase, pasi pothuajse e gjithë udhëheqja e LSDM-së ka paraqitur dorëheqjen mbrëmjen e se enjtes.
Vendimi erdhi pas kërkesës së kreut të partisë, Venko Filipce, në një lëvizje që synon të hapë rrugën për reformim të brendshëm, pas humbjes së rëndë në zgjedhjet e fundit komunale.
Dorëheqjet përfshijnë nënkryetarët, sekretarin e përgjithshëm si dhe të gjithë anëtarët e Komitetit Ekzekutiv.
Organi më i lartë, Komiteti Qendror, pritet të mblidhet pas dy javësh për të emëruar drejtuesit e rinj që do të marrin përsipër ringritjen e partisë.
Ndërsa pjesa më e madhe e lidershipit është larguar, Venko Filipce ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të dorëhiqet.
Ai thotë se do të udhëheqë personalisht procesin e rindërtimit të LSDM-së, një parti historikisht e rëndësishme për politikën maqedonase, që prej vitit 1991 kur u krijua si pasuese e Bashkimit të Komunistëve të Maqedonisë.
Në vitet e fundit, LSDM ka kaluar përplasje të forta të brendshme dhe rënie të mbështetjes popullore. Pavarësisht periudhës së suksesshme nën drejtimin e Zoran Zaev, gjatë së cilës u arrit Marrëveshja e Prespës dhe anëtarësimi në NATO, rezultatet zgjedhore kanë qenë në rënie të vazhdueshme.
Dorëheqjet masive pritet të ndezin edhe më tej debatin politik në vend, ndërsa opinioni pret të shohë nëse LSDM do të arrijë të rimëkëmbet përballë një skene politike të polarizuar dhe sfidave të reja që po dalin.
Ndërkohë Kryeministri Mickoski ka propozuar ristrukturim qeveritar, duke bashkuar resorin e Çështjeve Evropiane me atë të Shëndetësisë dhe duke paralajmëruar një ministër të ri për mjedisin.
Fitorja e VMRO-DPMNE në zgjedhjet lokale ka forcuar pushtetin e saj, por ka sjellë edhe kritika për llogaridhënie të dobët. Sfida mbeten marrëdhëniet ndëretnike dhe mbrojtja e pakicave.
