Kurti ka thënë se përmes programit Citizen Diplomacy Fellowship po sjellin profesionistë të rinj nga diaspora në sektorin publik, ndërsa me lansimin e Dritares së Investimeve të Diasporës, pjesë e Fondit të Garancisë Kreditore, tha se diasporës po i mundësojnë të marrin kredi investimi pa kolateral, duke sjellë idetë dhe përvojën e biznesit të tyre në atdhe dhe duke ndihmuar në këtë mënyrë rritjen ekonomike të Kosovës.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e ka nisur qëndrimin në Mbretërinë e Bashkuar përmes takimit me mërgatën shqiptare në Londër. Gjatë bashkëbisedimit ai ndër të tjerash u ka kërkuar atyre që të vijnë e të investojnë në Kosovë.
Kurti ka udhëtuar për në Londër për Procesin e Berlinit që do të mbahet më 22 tetor.
Në fjalën e tij të rastit ku i pranishëm ishte edhe ambasadori Ilir Kapiti, Kurti tha se partneriteti i Kosovës me Mbretërinë e Bashkuar është ndërtuar mbi shtylla si: bashkëpunimi në mbrojtje dhe siguri, zhvillimin ekonomik dhe diplomaci, njofton kallxo.com.
“Në vijim, kryeministri foli rreth të arriturave të qeverisë përgjatë këtij mandati të ndërlidhura me bashkëpunimin me Britaninë e Madhe, duke veçuar investimet në fushat e mbrojtjes dhe sigurisë, katërfishimi i buxhetit të mbrojtjes, trajnimet e anëtarëve të FSK-së, dhe pajisja me sisteme të reja; rritja ekonomike me mesatare prej 6%, gjersa janë rritur të hyrat buxhetore, janë mbështetur qytetarët dhe ndërmarrësit prodhues e forcuar lidhjet tregtare dhe investimet nga Mbretëria e Bashkuar”- njofton Zyra e Kryeministrit, më 21.10.2025.
Ndër të tjera, kryeministri në detyrë ka theksuar rëndësinë e diasporës, krahas përkrahjes dhe vëmendjes së qeverisë ndaj mërgimtarëve.
Kurti ka thënë se përmes programit Citizen Diplomacy Fellowship po sjellin profesionistë të rinj nga diaspora në sektorin publik, ndërsa me lansimin e Dritares së Investimeve të Diasporës, pjesë e Fondit të Garancisë Kreditore, tha se diasporës po i mundësojnë të marrin kredi investimi pa kolateral, duke sjellë idetë dhe përvojën e biznesit të tyre në atdhe dhe duke ndihmuar në këtë mënyrë rritjen ekonomike të Kosovës.
“Duke e ftuar diasporën që të vijnë e të investojnë në Kosovë, kryeministri shprehu gatishmërinë dhe vullnetin e qeverisë për ta thelluar bashkëpunimin dhe ngritur iniciativa të tjera të reja që sjellin mërgatën më pranë vendit tonë dhe nxisin zhvillimin dhe progresin e shtetit”- shkruan në njoftim.
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar do të organizojë Samitin e përvitshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Londër më 22 tetor 2025 për të promovuar bashkëpunimin rajonal dhe për të rritur sigurinë dhe rritjen ekonomike.
Vitin e kaluar, më 14.10.2024, Samiti i Procesit të Berlinit u mbajt në kryeqytetin e Gjermanisë, në Berlin.
Procesi i Berlinit ka nisur në vitin 2014 nga ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Para kësaj nisme, presidenti i atëhershëm i Këshillit Europian, Jean-Claude Juncker kishte shpallur ‘pauzë’ në zgjerimin e BE-së.
Më pas, përmes Procesit të Berlinit ishte qëllimi që Kosova, Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina duke rritur bashkëpunimin mes vete të bëjnë vend në institucionet e BE-së.
