Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbesin të forta dhe se nuk bëhet fjalë për një prishje të raporteve, por sipas tij, kanë disa dallime.
Duke komentuar vendimin e Ambasadës së SHBA-së për pezullimin e dialogut strategjik, Kurti theksoi se nuk dëshiron t’i minimizojë zhvillimet e fundit. Megjithatë, ai shtoi se do t’i trajtojnë seriozisht mesazhet dhe deklaratat e SHBA-së.“Sa i përket njoftimit nga Ambasada amerikane javën e kaluar, duam të qartësojmë për qytetarët tanë, se bëhet fjalë për pezullimin e planifikimit për dialog strategjik, jo të dialogut strategjik si proces të nisur, e as të komunikimit të rregullt që ne e kemi. Ndonëse opozitarët po e stërmadhojnë në dritë negative çdo ndodhi për raportet e Qeverisë sonë me Qeverinë amerikane, unë nuk dua t’i minimizojë zhvillimet e fundit, i siguroj qytetarët tanë se qeveria jonë i trajton seriozisht deklaratat dhe qëndrimet e Ambasadës amerikane”, tha Kurti.
Kurti tha se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara janë më të mëdha se çdo qeveri dhe mbështeten në një histori të gjatë bashkëpunimi.“Raportet, marrëdhëniet dhe lidhjet ndërmjet Republikës së Kosovës, dhe ShBA-së dhe popujve tanë janë të thella dhe i tejkalojnë qeveritë. Ato janë ndërtuar mbi një histori të gjatë dhe themele të forta, të bazuara në vlera të përbashkëta dhe arritje të rëndësishme. Jemi të bindur se komunikimi i vazhdueshëm i cili është i rregullt, do të bëjë të mundur që të vazhdojmë të ecim përpara së bashku”, ka nënvizuar Kurti.
Reagimi i SHBA-së për pezullimin e dialogut strategjik me Kosovën erdhi në kohën kur Kurti ka adresuar një varg kritikash ndaj Gjykatës Kushtetuese në lidhje me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, si dhe qeveria në detyrë ka mbyllur disa struktura paralele serbe në Kosovë, për çka të shtunën ka reaguar edhe Bashkimi Evropian.
Dialogu strategjik është një proces që Departamenti i Shtetit i SHBA-së në shumicën e rasteve zhvillon me vende të ndryshme të botës me synim avancimin e marrëdhënieve bilaterale.Ky proces përfshin diskutime të nivelit të lartë mes dy vendeve që zhvillohen ose në Uashington, ose në vendin përkatës, mbi një gamë të gjerë temash si mbrojtja, siguria, mjedisi, energjia, bashkëpunimi ekonomik./KosovaPress
