
Në një takim të organizuar në Cyrih, me pjesëmarrjen e afaristëve, profesorëve dhe aktivistëve të komunitetit shqiptar në Zvicër, filantropi Lazim Destani përcolli një mesazh të qartë për rëndësinë e unitetit dhe pjesëmarrjes qytetare në zgjedhjet lokale në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.
Në fjalën e tij, z. Destani tha se politika është pjesë e jetës shoqërore, por nuk duhet të kthehet në arsye për përçarje.
“Ne kemi kaluar periudha të vështira si komb. Është e rëndësishme që shqiptarët të marrin pjesë masivisht në zgjedhje, duke ruajtur unitetin dhe vëllazërinë. Vetëm të bashkuar jemi të fortë, të ndarë mbetemi të dobët”, u shpreh ai.
Në ngjarje u lexua edhe një përshëndetje e ambasadorit të Maqedonisë së Veriut në Bernë, Shkëlqesia e Tij z. Rexhep Demiri, i cili përmes një mesazhi telefonik përshëndeti të pranishmit dhe vlerësoi rolin e diasporës si faktor unifikues.
Takimi mblodhi një numër të madh pjesëmarrësish, mes tyre Prof. Dr. Omer Xhemaili, Blerim Destani, Dan Ibrahimi, Nazmi Jakurti, Florim Useini, Afrim Mehmeti, Atdhe Jasiqi, Jetmir Alimi, Prof. Dr. Xhavit Lipaj, Dashnim Hebibi, Adis Tairi dhe shumë të tjerë nga fusha të ndryshme.
Me këtë rast, z. Destani ka shkruar edhe një status në Facebook:
“Kënaqësi e veçantë ishte ndeja mbrëmë me bashkatdhetarët tanë me punë e aktivitete në Zvicër. Në këtë takim vëllazëror në Cyrih ishin të pranishëm shumë miq afaristë e figura të shquara të shkencës, artit, sportit e të letërsisë nga komuniteti i diasporës sonë në shtetin Helvetik. Gjatë kohës që kaluam bashkë zhvilluam biseda e diskutime mbi tema të ndryshme që lidhen me çështjet e diasporës e të trojeve tona.
Falënderoj për ftesën pronarin e restorantit “Churrasco” Sokol Komani, organizator i kësaj ndeje ku u bë dhe prezantimi i brendit të Cigareve/Purove “Qunto” në tregun e Zvicrës”.
Ngjarja në Cyrih tregoi edhe një herë se diaspora shqiptare është e angazhuar dhe e përfshirë në proceset shoqërore dhe politike, duke mbetur një urë e rëndësishme bashkëpunimi dhe solidariteti për shqiptarët kudo që ndodhen./GazetaFAKTI