Udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të mblidhen sot në Durrës të Shqipërisë për Samitin rajonal Bërdo-Brioni, për të zhvilluar bisedime për të ardhmen e rajonit në Bashkimin Evropian (BE).
Tema e samitit të sivjetshëm do të jetë “Interesa të përbashkëta, angazhim i përbashkët për një të ardhme të përbashkët: Së bashku drejt BE-së”.
Takimi do të përqendrohet në të ardhmen evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në forcimin e bashkëpunimit rajonal, posaçërisht në Planin e Rritjes së BE-së për rajonin.
Derisa Kosova ngel vendi i vetëm nga rajoni që ende nuk e ka statusin e vendit kandidat për në BE, Shqipëria ka shënuar përparim të madh kohëve të fundit duke i hapur shumicën e kapitujve të negociatave për anëtarësim, me vendet e tjera që kanë ngecur në këtë pikë.
Ky samit pritet të dalë me konkluzionet përkatëse, të cilat konsiderohen si shtysë për rritjen e bashkëpunimit mes vendeve pjesëmarrëse dhe progresit të tyre.
Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovina dhe Serbia janë pjesë e Procesit të Brdo-Brijuni-t, iniciativë e vitit 2010 e Sllovenisë dhe Kroacisë, dy shtete anëtare të BE-së.
Agjenda e samitit për ditën e sotme:
E hënë, 6 tetor 2025
10:30-10:50 -Ceremonia zyrtare e mirëseardhjes.
Pritja e krerëve të delegacioneve nga Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, Presidentja e Sllovenisë, Natasa Pirc Musar, dhe Presidenti i Kroacisë Zoran Milanoviç.
Foto familjare.
11:00-13:00- Seanca plenare.
11:05- Fjala hapëse nga Presidenti Begaj.
13:00- Konferenca e përbashkët për shtyp e Presidentëve: Begaj, Pirc Musar dhe Milanoviç
