• E martë, 20 Janar, 2026

Limaj në takim me Kurtin i kërkon pozitën e Kryeparlamentarit

EA
Korrik19/ 2025

Pasi u paralajmërua rreth një javë më parë, është mbajtur sot, të shtunën, më 19.07.2025, takimi në mes të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe kryetarit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

Takimin në mes Kurtit dhe Limajt e ka konfirmuar për KALLXO.com, Arbëreshë Krasniqi, deputetja e Kuvendit të Kosovës nga NISMA.

Deputetja Krasniqi përmes telefonit tha se nuk ka ndonjë informacion se çka ka ndodhur në këtë takim, por e di qëllimin e kryetarit të partisë se pse u takua me kryeministrin Kurti.

“Krejt çka di që Famir Limaj kur ka shku në takim sot, d.m.th ka shku me qëllimin që pozita e kryeparlamentarit t’i jepet NISMA-së edhe zotit Limaj. Dhe unë jam e bindur në këtë pjesë që ai nuk do të lëvizë prej këtij pozicioni, çka ka ndodhë me Vetëvendosjen ose Albinin nuk e di.” – tha Krasniqi për KALLXO.com.

KALLXO.com pasi e ka telefonuar disa herë Arlind Manxhukën, zëdhënësin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), e ka pyetur përmes mesazhit se çka ka ndodhur nga takimi Kurti-Limaj, por deri në publikimin e lajmit, nuk është përgjigjur.

KALLXO.com e ka kontaktuar dhe pyetur edhe Bilall Sherifin, sekretarin e NISMA-së, por as ai nuk ka dhënë përgjigje.

Por, një ditë më parë, para se ta takonte Kurti, Limaj zhvilloi takim me presidenten Vjosa Osmani, në kuadër të takimeve konsultative të saj me subjektet politike.

Në anën tjetër, pikërisht të shtunën, më 19.07.2025, Kuvendi i Kosovës nuk është konstituar as pas përpjekjes së 49-të.

Kryesuesi i Kuvendit, deputeti më i vjetër i kësaj legjislature, Avni Dehari ka ndërprerë seancën konstitutive duke paralajmëruar vazhdimin e saj të hënën, 21.07.2025, në ora 11:00.

Spread the love