Presidenti francez Emmanuel Macron ka bërë thirrje për një takim katërpalësh që përfshin evropianët, në përgjigje të shpresave të Presidentit të SHBA-së Donald Trump për të sjellë presidentët ukrainas dhe rus në tryezën e bisedimeve, raporton Reuters.
“Mendoj se ndoshta kemi nevojë për një takim katërpalësh si vazhdim, sepse kur flasim për garanci sigurie, po flasim për të gjithë sigurinë e kontinentit evropian”, tha Macron në një takim në Shtëpinë e Bardhë që mblodhi së bashku udhëheqësit europianë, Trump dhe Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Kancelari gjerman Friedrich Merz bëri thirrje për një armëpushim në Ukrainë përpara samitit të udhëheqësve.
“Nuk mund ta imagjinoj takimin e ardhshëm që të zhvillohet pa një armëpushim, kështu që le të punojmë për këtë dhe të përpiqemi të ushtrojmë presion mbi Rusinë”, tha Merz.
Presidenti i SHBA-së Donald Trump përsëriti pikëpamjen e tij se një armëpushim nuk është i nevojshëm për t’i dhënë fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës, duke i bërë jehonë komenteve të mëparshme që e kanë afruar qëndrimin e tij me atë të Presidentit rus Vladimir Putin, të cilin e takoi javën e kaluar.
“Nuk mendoj se një armëpushim është i nevojshëm”, tha Trump, i ulur pranë Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë.
“E di që mund të jetë mirë të kemi një të tillë, por gjithashtu mund ta kuptoj strategjikisht pse një vend ose tjetri nuk do ta dëshironte atë.”
