• E martë, 10 Mars, 2026

MANASTIRI, DEPONIA E FUNDIT E KSENOFOBISË NË EUROPË!

EA
Shtator01/ 2025

Djaloshi nga Suedia  gjatë kohë do ta mbaj mend Manastirin, jo si vendlindje të alfabetit të shqipes, por si deponi të fundit të Europës ku me xhelozi ende ruhen mbetjet e një shovenizmi të papërmbajtur   
Nga Emin AZEMI

Një mërgimtar 32 vjeçar nga Dibra me banim në Suedi, kishte planifikuar të vizitonte qytetin e alfabetit, Manastirin, por ai nuk e kishte marr me mend se aty në vend të mikëpritjes do të “qerasej” me ofendim dhe poshtërim. Ai, në Manastir po vinte i frymëzuar nga leximet dhe nga këngët patriotike, por kishte harruar se pikërisht në këtë qytet me dekada nuk banon më bashkëjetesa. Aty, maqedonasit janë bërë padronë fuqiplotë dhe ata vendosin sa sasi ajër dhe sa pika ujë duhet të konsumojnë shqiptarët.
Shqiptari nga Dibra do të jetonte edhe më tej me këto iluzione për Manastirin, sikur të mos i ndodhte një incident i papritur. Në rrugën më të famshme, ‘Shirok Sokak’, e themeluar nga aristokracia shqiptare në fund të shek. 19 dhe fillim të shekullit të kaluar, një grup të rinjësh maqedonas e detyruan me forcë mërgimarin nga Suedia të hiqte bluzën me shqiponjë, një symbol ky që për maqedonasit e Manastirit konsiderohet si një gogol që duhet t’i frikësoj fëmijët natën.

Ky akt i shëmtuar, i cili ndodhi të enjten në mbrëmje, jo vetëm që i la një shije të hidhur gjithë opinionit publik, por konfirmoi edhe një herë se reparte të caktuara të shoqërisë maqedonase ende nuk janë të liruar nga ksenofobia dhe urrejtja ndaj shqiptarëve.  
Ky akt i turpshëm dëshmon se të rinjtë maqedonas e kanë të panjohur lëndën e bashkëjetesës dhe harmonisë ndëretnike, prandaj ata sillen si të tërbuar pata çdo simboli të shqiptarëve.
Kjo, mbase, është edhe arsyeja se pse nxënësit shqiptarë që e mbarojnë filloren në Manastir, janë të detyruar të vazhdojnë shkollimin e mesëm në Dibër, Strugë, Kërçovë e gjetiu. Në Manastir nuk lejohet hapja e shkollave të mesme në gjuhën shqipe, sepse ideatorët e hapësirave të pastra etnike, me dekada e kanë projektuar këtë qytet si një oazë pa shqiptarë. Këtyre ideatorëve iu pengon shumë që Manastiri është vendlindja e alfabetit të gjuhës shqipe, andaj me të madhe punojnë që gjurmët e kësaj historie të fshihen dhe në vend të saj të retushohet një realitet i ri, pa shqiptarë dhe pa trashëgiminë e tyre historie e shpirtërore.
Albanofobia e etabluar në vetëdijen e një shtrese maqedonase, nacionalizmin primitiv e galvanizon me antishqiptarizëm. Te ky lloj unik i nacionalizmit, çuditërisht, nuk ka vend për nerv reagues ndaj mohimeve të identiteti maqedonas që vijnë nga Serbia, Bullgaria e Greqia, por, për habi,  aty ka bërë strofull një deponi që kundërmon qelb shovenist kundër shqiptarëve.
Të gjithë në Ballkan iu vënë kushte të tjerëve para se të anëtarësohen në BE e në NATO, vetëm Tirana zyrtare kokëfortësisht e zemër-hapur ka shprehur në vazhdimësi njëfarë qëndrimi naiv kundrejt Shkupit zyrtar, qoftë atëherë kur  ndër shtetet e para, pa kurrfarë kushti, e njohu pavarësinë e Maqedonisë (1991), qoftë tani kur i ka hapur kapitujt e negociatave me BE-në, ku sërish politika shqiptare bën njëfarë jete deliri sikur të ishte në ndonjë ishull të izoluar, rrethuar me parajsë tokësore, ku shqiptarët në Manastir, në Kumanovë, në Plavë, në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, bëjnë pallën e qejfit dhe freskohen me gjethet e fikut.
Asnjë notë proteste nuk erdhi nga Tirana zyrtare për shuarjen sistematike të adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, ndërkohë që paria e Tiranës ka kohë që brengoset për imazhin e keq të Vuçiqit në sytë e komunitetit ndërkombëtar (!).
Për ta kuptuar Manastirin e sotëm, ndoshta ia vlen t’i hedhim një sy publicistikës shqiptare, ku do të gjejmë përshkrimin më pastik të Mit’hat Frashërit që i bën Manastirit të fillim shekullit të kaluar. “Oh sa i hidhur më është dukur ky udhëtim i sotëm, me gjithë bukurinë e udhës! Po ç’është bërë shqipja në këto vende, ku ka vajtur gjuha jonë? Pse qëkur kam dalë nga Leskoviku më s’e kemi dëgjuar mbi udhë, ashtu si na përkëdhelte veshin gjer më tani?” (“Lirija”, Nr. 83, f. 3. Selanik, 10 prill 1910).
Sidoqoftë, djaloshi nga Suedia gjatë kohë do ta mbaj mend Manastirin, por, jo si vendlindje të alfabetit të shqipes, por si deponi të fundit të Europës ku me xhelozi ruhen ende mbetjet e një shovenizmi të papërmbajtur .  
Ç’është bërë shqipja në këto vende, ku ka vajtur gjuha jonë?!

Shkup, 01 shtator 2025

Spread the love