Klubi i futbollit Manchester City ka zgjatur marrëveshjen e bashkëpunimit me prodhuesin gjerman të pajisjeve sportive Puma për të paktën dhjetë vjet të tjera, njoftoi klubi.
Marrëveshja e re vlen të paktën një miliard paund, duke e bërë atë marrëveshjen më të vlefshme të sponsorizimit në historinë e Premier League, raportoi BBC (British Broadcasting Corporation).
City dhe Puma nënshkruan për herë të parë një partneritet në vitin 2019, atëherë me vlerë 65 milionë funte për sezon. Kontrata e re do të jetë e vlefshme të paktën deri në vitin 2035 dhe do t’i sjellë klubit një rekord prej 100 milionë funtesh në vit.
Kjo shumë tejkalon rekordin e mëparshëm prej 90 milionë £, që Manchester United merr çdo vit nga Adidas, si dhe kontratën e Liverpoolit me të njëjtin prodhues, e cila sipas raportimeve vlerësohet në rreth 60 milionë £ në sezon.
Që nga fillimi i bashkëpunimit me Puma-n, Manchester City ka fituar katër tituj të Premier League. Edhe pse e mbyllën sezonin e kaluar pa një trofe të rëndësishëm, klubi regjistroi rekord të të ardhurave globale dhe shitjeve të pajisjeve.
Në raportin financiar deri më 30 qershor 2024, City regjistroi një të ardhur rekord prej 715 milionë £, ndërsa të ardhurat komerciale u rritën nga 341.4 milionë £ në 344.7 milionë £.
Drejtori ekzekutiv i City Football Group (CFG), Ferran Soriano, tha: “Ne u bashkuam me Pumën për të shtyrë kufijtë dhe për të tejkaluar pritjet, dhe ia kemi dalë mbanë. Integrimi i plotë në sistemin tonë dhe momentet historike të përbashkëta kanë çimentuar partneritetin tonë.”
“Partneriteti me Manchester Cityn ka sjellë rezultate të shkëlqyera, si në fushë ashtu edhe jashtë saj. Trofetë, një skenë ideale për produktet tona dhe suksesin komercial – të gjitha këto kanë tejkaluar pritjet”, tha drejtori ekzekutiv i Pumës, Arthur Held.
