• E diel, 18 Janar, 2026

Mexhiti për bashkëpunimin me VMRO-DPMNE-në:partnerët qeveritarë gjithmonë e kanë ndihmuar njëri-tjetrin

EA
Korrik24/ 2025

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Mjedisit Izet Mexhiti njoftoi sot (24 korrik) se VLEN-i do të garojë me kandidatët e vet për kryetar të Qytetit të Shkupit dhe Komunës së Çairit, ndërsa në Strugë do të mbështesë kandidatin e pavarur Mendi Qira. Për komunat e mbetura, siç theksoi ai, analizat janë drejt përfundimit dhe pret që emrat e të gjithë kandidatëve të shpallen javën e ardhshme.

Kur u pyet nga një gazetar nëse do të kandidonte personalisht për kryetar të Çairit, Mexhiti u përgjigj shkurt se “të gjitha kandidaturat do të bëhen zyrtare së shpejti”, por pa konfirmuar drejtpërdrejt nëse do të hynte në garë.
Lidhur me mundësinë e koalicioneve në nivel lokal me VMRO-DPMNE-në,Mexhiti tha se kjo nuk është asgjë e re në skenën politike.

“Asgjë e re. Që nga vitet nëntëdhjetë e deri më tani në pluralizëm, partnerët qeveritarë gjithmonë e kanë ndihmuar njëri-tjetrin dhe do të vazhdojnë ta ndihmojnë njëri-tjetrin. Pres të njëjtën gjë edhe nga partnerët e opozitës – BDI, Levica, LSDM. Të gjithë me të gjithë në nivel lokal, ky është realiteti”, – tha Mexhiti pas nënshkrimit të kontratave për projekte komunale të financuara nga Ministria.

Kontratat mbulojnë ndërtimin e sistemeve të kanalizimeve, rrjeteve të furnizimit me ujë dhe programeve të tjera mjedisore, me mbështetje nga programet e investimeve të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor./ GazetaFAKTI

Spread the love