• E diel, 18 Janar, 2026

Ministrja serbe erdhi në Manastir për të treguar se “maqedonasit dhe serbët janë një trung”!

EA
Shtator08/ 2025

Në Manastir sot (08 shtator) u mbajt një Akademi Solemne e titulluar “Lufta e madhe – 1914–1918”, në të cilën mori pjesë edhe ministrja serbe të Punës dhe Politikave Sociale, Milica Gjurgjeviç Stamenkovski. Ajo me këtë rast shpalosi gjithë narrativën serbe mbi Maqedoninë e sotme, duke konsideruar se “maqedonasit dhe serbët janë një trung, një rrënjë dhe kanë të ardhme të përbashkët” përfshi edhe “Kosovën dhe Metohinë”.

Deklatrat e saj u shoqërua me një ton nacional-romantik, teksa foli për flamurin serb si flamur mbijetese dhe luftrash për çlirim. Me këtë rast aj bëri homazh në varrezat e Manastirit për ushtarë serbë të rënë gjatë Luftës së Parë Botërore.

Reagimi i BDI-së dhe Aleancës për Shqiptarët

Bashkimi Demokratik për Integrim e dënon fuqishëm ngjarjen e mbajtur në Manastir, ku për herë të parë në historinë e Maqedonisë së Veriut, një delegacion i lartë shtetëror i Serbisë, i shoqëruar nga përfaqësues të lartë të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, në mënyrë zyrtare dhe me protokoll shtetëror festoi pushtimin serb të Maqedonisë dhe Kosovës nën petkun e të ashtuquajturit “Fronti i Selanikut”.

Deklaratat e ministres serbe të Punës dhe Politikave Sociale, Milica Gjurgjeviç Stamenkovski, se “maqedonasit dhe serbët janë një trung, një rrënjë dhe kanë të ardhme të përbashkët”, përbëjnë provokim të hapur historik dhe ndërhyrje flagrante në identitetin dhe sovranitetin e Maqedonisë së Veriut. Këto mesazhe janë të papranueshme dhe synojnë të relativizojnë realitetin historik, duke cenuar marrëdhëniet ndëretnike dhe stabilitetin rajonal.

Po aq e papranueshme është edhe prania e përfaqësuesve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe e zëvendëskryeministrit Ivan Stoilkoviq në një aktivitet që cenon drejtpërdrejt orientimin strategjik dhe karakterin multietnik të shtetit tonë.

BDI thekson qartë se projektet nacionaliste të “botës serbe” nuk kanë vend në Maqedoninë e Veriut. E ardhmja e vendit është vetëm në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian, duke mbrojtur frymën e Marrëveshjes së Ohrit, barazinë e qytetarëve dhe kohezionin multietnik të shoqërisë sonë.

Aleanca për Shqiptarët reagon ashpër pas vizitës së ministres së Punës, Punësimit, Çështjeve të Veteranëve dhe Sociale në Qeverinë e Serbisë, Milica Burnevi Stamenkovski, e cila gjatë qëndrimit në Manastir ka bërë deklarata që, sipas partisë, përbëjnë promovim të “botës serbe” në Maqedoninë e Veriut.

Deklaratat e Milica Burnevi Stamenkovski janë skandaloze. Ajo foli për flamurin serb si flamur mbijetese dhe luftrash për çlirim, bëri homazh në varrezat e Manastirit për ushtarë serbë të rënë, dhe promovoi narrativën e botës serbe, duke e përfshirë popullin pravosllav në Manastir, Ohër dhe, siç tha ajo, Kosovë e Metohi.

Pjesëmarrja e saj në Akademinë Solemne “Lufta e madhe – 1914–1918” ishte një tjetër demonstrim i hapur i shovinizmit serb dhe i pretendimeve politike e historike në një qytet që simbolizon kulturën dhe alfabetin e gjuhës shqipe.

Ky është një demonstrim i turpshëm i pretendimeve serbe në qytetin e alfabetit shqip. VLEN hesht, ndërsa qeveria e Mickoskit jo vetëm që e lejon, por edhe e financon këtë lloj propagande serbomadhe./GazetaFAKTI

Spread the love