Partitë politike kanë filluar t’i definojnë kandidaturat për zgjedhjet lokale. Ndonëse fushata parazgjedhore nuk ka filluar ende zyrtarisht, kjo megjithatë nuk po i pengon ato t’i plasojnë në publik idetë dhe pikëpamjet të cilat po i përdorin për të atakuar openentin nga taborri tjetër.
Fronti Evropian dhe Aleanca për Shqiptarët e Taravarit do të garojnë me kandidatë të përbashkët dhe lista të përbashkëta për këshilltarë në zgjedhjet lokale të tetorit. Kjo marrëveshje u konfirmua sot (28 korrik) nga nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi, i cili theksoi se bashkëpunimi mes koalicioneve është në një fazë të avancuar.
Ai përmendi se marrëveshja mes kryetarit Ahmeti dhe kryetarit Taravari garanton pjesëmarrje të përbashkët në zgjedhjet lokale, duke përfshirë kandidaturat dhe listat e këshilltarëve.
“Tashmë ka marrëveshje mes Frontit Evropian, mes kryetarit Ahmeti dhe kryetarit Taravari për pjesëmarrje të përbashkët në këto zgjedhje, kështu që do të kemi edhe kandidatë të përbashkët dhe lista të përbashkëta për këshilltarë”, theksoi Ademi.
Ademi njoftoi gjithashtu se Fronti Evropian do të ketë kandidat për kryetar të Qytetit të Shkupit, ndërsa emri i kandidatit pritet të bëhet i ditur në ditët në vijim. Ai shtoi se emrat e kandidatëve për komunat e tjera gjithashtu do të konfirmohen nga organet partiake dhe ato të koalicionit të gjerë që përbëhet nga BDI dhe partnerët e saj.
“Për Qytetin e Shkupit, BDI dhe koalicioni i gjere të cilin ne e përbëjmë, do të ketë kandidatin e vetë, ka mbetur që emrat e kandidatëve dhe për komunat e tjera, përfshi edhe për Qytetin e Shkupit, që të konfirmohen në organet partiake dhe organet e partive të cilat e përbëjnë koalicionin e gjere”, theksoi Ademi.
Presidentja e Maqedonisë së Veriut pritet që së shpejti t’i shpallë zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor të këtij viti. Të qarta janë datat, por jo edhe rregullat sa i përket ndryshimeve të Kodit Zgjedhor për të cilat partitë politike janë bërë lëmsh sepse duhet të votohen me shumicë Badinteri. Propozim-ligjin e parë ua rrëzoi Gjykata Kushtetuese. Aktualisht ndryshimet e Kodit Zgjedhor ndodhen në lexim të dytë në Kuvendin e RMV-së.
Mexhiti: Taravari nuk e ka pasur hallin e listave
Izet Mexhiti nga VLEN tha se Arben Taravari doli nga koalicioni VLEN me arsyetimin se kërkonte lista të veçanta për këshilltarë komunal në zgjedhjet lokale, ndërkaq tani po shkon në zgjedhje me lista të përbashkëta me BDI-në.
“Po ashtu dua ta ngre çështjen se z.Taravari u tërhoq me pretekstin se do të dalë me lista të veçanta dhe se ky ishte problemi në kuadër të VLEN-it, dhe sot e dëgjoj që del me lista të përbashkëta të BDI-së. Pra nuk e ka pasur hallin e listave, por nuk ka ditur si të shkojë në prehrin e z.Ahmeti”, tha Mexhiti.
Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski tha se me Lëvizjen ZNAM janë në bisedime për kandidatë të përbashkët në zgjedhjet lokale për Komunën Qendër dhe për Kumanovën.
Micoski: Me VLEN-in ka marrëveshje parimore për mbështetje të ndërsjellë
“Në lidhje me ZNAM, negociojmë, bisedojmë. Për momentin për dy komuna, Kumanovën dhe Komunën Qendër, të kemi kandidat të përbashkët. Bisedimet po zhvillohen në drejtim konstruktive dhe të mirë, drejtim pozitiv, por më tepër informacione do të kemi pas 15 gushtit. Në lidhje me partitë politike, pjesë e koalicionit VLEN, gjithashtu kemi marrëveshje parimore, se do të mbështetemi në ato komuna ku ne do të kemi kandidat, ata nuk do të kenë dhe atje ku ata do të kenë kandidatë dhe ne nuk do të kemi. Ja të themi, do të ketë komuna ku do të kemi kandidatë të dy grupe politike. Aty normalisht secili do të udhëhiqet sipas strategjisë dhe interesit të vetë”, deklaroi kreu i VMRO-DPMNE, Mickoski.
Në VLEN nuk ka krizë uniteti
Në një kohë kur në disa media janë publikuar lajme për përçarje brenda koalicionit shqiptar VLEN, katër liderët kryesorë të kësaj platforme – Izet Mexhiti, Bilall Kasami, Arben Fetai, Zekirija Ibrahimi dhe Bekim Qoku – kanë hedhur poshtë këto zëra me një veprim simbolik, shkruan zhurnal.mk.
Ata kanë publikuar një fotografi të përbashkët ku shfaqen të buzëqeshur dhe të bashkuar, e cila shoqërohet me mbishkrimin: “Krah për krah, në rrugën drejt fitores!”
Ky mesazh vjen si një kundërpërgjigje e qartë ndaj përpjekjeve për të krijuar përçarje brenda VLEN-it, duke theksuar qartë se bashkëpunimi mes liderëve mbetet i fortë dhe strategjik në funksion të qëllimeve të përbashkëta politike.
Nga rrethi i afërt i koalicionit VLEN, mësohet se puna për konsolidimin e strukturave në terren dhe përgatitja për zgjedhjet e ardhshme vazhdon me intensitet të lartë, ndërsa liderët janë të vendosur ta çojnë përpara frymën e bashkimit dhe reformës në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Fotografia e publikuar është interpretuar si një sinjal i qartë se VLEN mbetet një trup i bashkuar përballë sfidave politike dhe një premtim për elektoratin shqiptar se kauzat e përbashkëta nuk do të zbehen për shkak të spekulimeve mediatike./ GazetaFAKTI
