Shkëndija e Haraçinës luajti sot në transfertën e Pobedas, duke fituar me rezultatin 0-1. Sfida ishte e vlefshme për javën e 10-të të kategorisë së dytë në Maqedoninë e Veriut, ndërsa thirrjet skandaloze u regjistruan nga tifozeria e Pobedas, njofton Portalb.mk.
“Majmuni” quhet tifo-grupi, që në Prilep thërriste sot: “Dhoma gazi për shqiptarët”. Ata janë të njohur për racizmin ndaj shqiptarëve, pasi edhe kur Kombëtarja e Shqipërisë ka luajtur në Maqedoninë e Veriut kanë qenë të pranishëm me të njëjtat thirrje.
Filimisht kishte fyerje na bazë nacionale nga tifozët vendas drejt mysafirëve nga Shkupi brenda stadiumit, ndërsa në fund kishte edhe sulm nga një tifoz i Pobedës në zhveshtoren e futbollistëve mysafirë.
Pas ndeshjes ka reaguar edhe skuadra e Shkëndijës përmes në komunikate për media, të cilën e përcjellim në tërësi:
“Skenat që u panë sot në stadiumin e Prilepit nuk i ngjajnë aspak futbollit dhe frymës sportive që ky sport duhet të përfaqësojë. Ajo çfarë ndodhi në tribuna dhe rreth fushës nuk janë pamje që duhet të shfaqen në një ndeshje futbolli. Fyerjet racore, provokimet dhe sjelljet e shëmtuara nuk e ndihmojnë sportin – përkundrazi, ato e dëmtojnë imazhin e futbollit, klubit dhe vetë garës. Si klub, ne i dënojmë ashpër këto veprime të turpshme që cenojnë dinjitetin dhe sigurinë e lojtarëve dhe tifozëve tanë. Ne kërkojmë nga Federata të ndërmarrë masat e duhura dhe të japë dënimet e merituara për organizatorët e kësaj ndeshjeje, në mënyrë që ngjarje të tilla të mos përsëriten më. Futbolli është lojë që bashkon – jo që ndan”, thuhet në reagimin e KF Shkëndija Haraçinë.
Por, Klubi i Pobedës reagoi zyrtarisht, duke thënë se incidenti nuk ishte faj i tifozëve vendas, por u shkaktua nga provokimet e lojtarëve të Shkëndijës së Haraçinës. Sipas klubit të Pobedës, pas përfundimit të ndeshjes disa futbollistë mysafirë kishin hedhur shishe me ujë drejt tribunës ku ndodheshin tifozët e Prilepit, çka shkaktoi reagime.
Pobeda theksoi se ndeshja ishte organizuar sipas të gjitha rregullave dhe masave të sigurisë, dhe se falë ndërhyrjes së shpejtë të sigurimit dhe policisë, situata u vu menjëherë nën kontroll.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social Facebook lidhur me incidentin e ndodhur gjatë ndeshjes futbollistike mes KF Shkëndija – Haraçinë dhe KF Pobeda në Prilep.
Iseni ka bërë të ditur se Ministria e Punëve të Brendshme ka ndërmarrë menjëherë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për zbardhjen e rastit.
“Sapo ka përfunduar ndeshja, policia ka identifikuar dhe ndaluar personin që shkaktoi incidentin në dhomën e zhveshjes së ekipit mysafir. Ndërkohë, ndaj të tjerëve që kanë marrë pjesë në sjellje të papërshtatshme janë ndërmarrë procedurat përkatëse në bashkëpunim me organet kompetente”, ka theksuar Iseni.
Ai ka shtuar se janë iniciuar masa disiplinore edhe ndaj pjesëtarëve të policisë që nuk kanë reaguar me kohë, duke theksuar se përgjegjësia për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike është e pandashme.
“Do të ketë zero tolerancë ndaj çdo forme të dhunës dhe gjuhës së urrejtjes. Institucionet do të veprojnë me vendosmëri për të mbrojtur rendin publik dhe për të garantuar sigurinë e secilit qytetar, pa dallim”, ka theksuar më tej zëvendësministri Iseni.
Zëvendësministrja e Sportit, Safije Sadiki Shaini e ka dënuar ashpër sjelljen e turpshme të tifozëve të Prilepit ku në ndeshjen e sotme me Shkëndijen e Haraçinës pati provokime dhe brohoritej në gjuhën maqedonase: “Shqiptar i mirë, shqiptar i vdekur”.
“Dënoj ashpër çdo formë huliganizmi dhe sjellje të dhunshme në ambientet sportive. Ngjarjet e ndodhura gjatë ndeshjes ndërmjet KF Shkëndija – Haraçinë dhe KF Pobeda në Prilep janë të papranueshme dhe dëmtojnë rëndë imazhin e sportit si aktivitet që bashkon njerëzit dhe nxit respektin e ndërsjellë”, thekson Sadiki Shaini.
Sipaa saj, sporti nuk duhet të jetë terren për urrejtje apo përçarje, por hapësirë për garë të ndershme, solidaritet dhe bashkëjetesë.
“Apeloj që institucionet kompetente të ndërmarrin masa ndaj çdo akti huliganizmi, në mënyrë që stadiumet të mbeten vende të sigurta dhe të respektuara për sportistët dhe tifozët e të gjitha komuniteteve”, u shpreh ajo.
Federata e Futbollit e Maqedonisë dhe Komisioni Disiplinor pritet të shqyrtojnë ngjarjen dhe të marrin vendimin e tyre.
Federata e Futbollit të Maqedonisë ka paralajmëruar se do të ketë dënime duke filluar nga Komisioni Garues dhe ai i Disiplinës për të gjithë ata që kanë shkelur regulloren e garimit.
Shkëndija e Haraçinës mban aktualisht vendin e parë. Klubi shqiptar ka për synim vetëm ngjitjen në elitën e futbollit në Maqedoni.
