Një grua dhe fëmija i saj i mitur u gjetën të vdekur këtë pasdite pasi ranë nga një ballkon në Karposh të Shkupit. Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) konfirmoi se dy personat vdiqën në vend, pa dhënë detaje rreth moshës së gruas dhe fëmijës.
“Sot (02.03.2026) rreth orës 14:15, Shërbimi i Sigurisë Publike Shkup mori një njoftim se një grua dhe një fëmijë i mitur ishin hedhur nga një ballkon i një ndërtese në zonën e Karposhit dhe kishin vdekur. Zyrtarët e policisë kanë mbërritur në vendngjarje”, tha MPB.
Prokuroria njoftoi vonë sonte se një prokuror publik në detyrë nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka inspektuar vendin e ngjarjes në Karposh dhe ka urdhëruar autopsinë e trupave të të ndjerëve dhe mbledhjen e gjurmëve dhe provave.
“Po zhvillohen bisedime me disa persona që mund të kenë informacione rreth shkaqeve të ngjarjes”, tha Prokuroria, duke njoftuar më shumë detaje më 3 mars.
Menjëherë pas ngjarjes ka reaguar motra e viktimës.
Ajo thotë se shteti ka qenë i njoftuar për ankesat e viktimës, mirëpo nuk ka pasur reagim.
Tragjedi në Shkup, nëna me fëmijën hidhen nga ndërtesa
“Edhe pse është e vështirë për mua, dua të flas në emër të familjes sime, sot ndodhi një vrasje.
Sot Ministria e Brendshme, Shërbimet Sociale dështuan, sot i gjithë sistemi ynë dështoi… Pas vitesh të tëra dhune në familje të raportuara, dhune fizike dhe psikologjike ndaj të dyve, kërcënimeve, raportimeve, tentativës së vrasjes në mes të një institucioni shtetëror, humba mbesën dhe motrën time.
Shteti lejoi që jetë të reja të shuheshin, ju lutem mos spekuloni për atë që ndodhi, askush nuk do t’i kthejë të dashurit e mi, por drejtësia do të duhet të ndiqet deri në fund dhe ne nuk do të ndalemi derisa të ndodhë!
Duke pasur parasysh se pavarësisht të gjitha raportimeve dhe ngjarjeve, institucionet nuk kanë vepruar deri më tani, kërkoj vëmendje nga publiku dhe media për këtë, nuk do ta lëmë të kalojë si një numër, drejtësia duhet të arrijë tek të gjithë”, shkruan motra e të ndjerës.
Familjarët e viktimave pretendojnë se rasti është paraprirë nga denoncime të shumta për dhunë në familje, ndaj akuzojnë institucionet për mosreagim.
Vëllai i gruas së ndjerë, njëherësh daja i vajzës, Aleksandar Stojanoski, përmes një reagimi publik në rrjetet sociale deklaroi se familja prej vitesh kishte raportuar dhunë fizike dhe psikologjike, kërcënime dhe incidente të tjera serioze, por sipas tij institucionet nuk kanë ndërmarrë masa adekuate.
“Edhe pse është shumë e vështirë për mua, dua të flas në emër të familjes sime. Sot ndodhi një vrasje. Sot dështoi policia, shërbimet sociale dhe i gjithë sistemi ynë. Pas viteve të raportimeve për dhunë dhe kërcënime, ne humbëm motrën dhe mbesën tonë”, shkruan ai, duke kërkuar që rasti të mos kalojë pa përgjegjësi dhe që drejtësia të zbatohet deri në fund.
Sipas tij, viktima kishte planifikuar që edhe sot të paraqitej në institucionet sociale për çështjet e lidhura me dhunën që kishte raportuar më herët.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen Taftaliçe të Shkupit, ku gruaja është gjetur e vdekur së bashku me vajzën e saj. Policia ka kryer hetime në vendngjarje deri në orët e vona të mbrëmjes.
Mediat sot kanë kërkuar informacione zyrtare nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut nëse më parë janë regjistruar denoncime për dhunë familjare, por deri tani nuk ka përgjigje, pasi zyrtarët kanë qenë në terren. Po ashtu, deri në momentin e publikimit nuk ka reagim as nga Prokuroria Publike e Shkupit, ndërsa prokurorja kompetente ka qenë në vendin e ngjarjes.
Ja letra e plotë e vëllait:
“Edhe pse e kam shumë të vështirë, dua të drejtohem në emër të familjes sime – sot ndodhi një vrasje.
Sot dështoi Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut, dështuan shërbimet sociale, sot dështoi i gjithë sistemi ynë. Pas viteve të raportimeve për dhunë në familje – dhunë fizike dhe psikologjike ndaj të dyjave, kërcënimeve, denoncimeve dhe madje një tentative për vrasje brenda një institucioni shtetëror – humba mbesën dhe motrën time.
Shteti lejoi që të shuhen jetë të reja. Ju lutem mos spekuloni për atë që ka ndodhur. Askush nuk mund të m’i kthejë më të dashurit e mi, por drejtësia duhet të shkojë deri në fund dhe ne nuk do të ndalemi derisa kjo të ndodhë.
Pavarësisht të gjitha denoncimeve dhe ngjarjeve të mëparshme, institucionet nuk vepruan deri më tani. Kërkoj fokus nga publiku dhe mediat për këtë rast. Nuk do të lejojmë që kjo të kalojë vetëm si një numër – drejtësia duhet të arrijë çdo përgjegjës.
Sot motra ime duhej të shkonte sërish në qendrën sociale për këto çështje, ndërsa me mbesën u dëgjova për festën e Proçkës. Ajo më tha: ‘Dajë, më fal nëse të kam bërë ndonjë gabim’. Mbesa ime, më fal ti mua… fal edhe këto institucione të paafta. Unë, si dajë, nuk do të fal kurrë dhe nuk do të harroj.
Shpërndajeni këtë, që të mos harrohet dhe të mos humbasë në sistemin tonë”.(INA)
