• E enjte, 19 Shkurt, 2026

Një qytet plot ngjyra që më në fund hap dyert për turistët

EA
Gusht17/ 2025

Vetëm në vitin 2005 jo-myslimanëve iu lejua të qëndronin brenda natës, por disa nga pjesët më të shenjta të qytetit janë ende të rezervuara ekskluzivisht për myslimanët

I mbyllur për të huajt për shekuj me radhë, qyteti maroken Moulay Idriss është një vend i shenjtë që është në listat e dëshirave të shumë udhëtarëve nga e gjithë bota. Ose të paktën ata që duan të përjetojnë atmosferën e veçantë që mbretëron në këtë qytet të vogël, të emëruar sipas themeluesit të tij, Idris I. – sundimtari i parë i një dinastie që luajti një rol të rëndësishëm në islamizimin e hershëm të Marokut të sotëm.

Qyteti i Moulay Idriss sjell në jetë kohërat e lashta, në fund të shekullit të 8-të, kur ky pasardhës i Profetit Muhamed, duke ikur nga persekutimi në Lindje, erdhi për të kërkuar strehim në tokat e largëta berbere.

Ajo që e bën Moulay Idriss kaq të njohur është labirinti i tij i shtëpive shekullore me mure në nuanca të mentes, koralit, limonit dhe smeraldit. Spektri i ngjyrave pastel mund të krahasohet me blutë e gjalla të Chefchaouen, një qytet i njohur turistik, tre orë larg me makinë në veri. Megjithatë, historikisht i mbyllur për jo-muslimanët dhe pa një linjë të drejtpërdrejtë treni, Moulay Idriss ka mbetur kryesisht jashtë radarit turistik. Por është i shënuar mirë në rrugët e pelegrinëve.

“Të vizitoni Moulay Idriss pesë herë, konsiderohet njësoj si të vizitoni Mekën në Arabinë Saudite”, thotë për BBC-në Imad El-Meloudi, një guidë turistike marokene.

Jeta atje është e ngadaltë dhe tradicionale. Qyteti u hap për jo-muslimanët në vitin 1912 dhe përmirësimet e planifikuara në sistemin e trenave me shpejtësi të lartë të Marokut së shpejti do t’i bëjnë vizitat më të lehta, me qytetin e afërt të Meknesit si një ndalesë të re në linjë.

“Presim më shumë vizitorë. Duam të përhapim fjalën për një nga qytetet më të rëndësishme të Marokut”, shton guida turistike.

Vetëm në vitin 2005 jo-myslimanëve iu lejua të qëndronin gjatë natës, por disa nga pjesët më të shenjta të qytetit janë ende të rezervuara ekskluzivisht për myslimanët, siç është qasja në varrin e Idrisit dhe xhaminë.

Edhe pse Moulay Idriss është një vend pelegrinazhi, disa vizitorë janë shumë më të interesuar të ngjiten në shkëmbinjtë aty pranë dhe të shijojnë pamjet e fushës dhe qytetit edhe më të vjetër të Volubilis. Sidoqoftë, nëse udhëtimi juaj ju çon në këtë pjesë të Marokut, nuk do të mërziteni. Përveç traditës dhe arkitekturës, mund ta njihni qytetin plot ngjyra përmes gastronomisë emocionuese dhe mikpritësve që janë të lumtur t’u hapin dyert vizitorëve./GazetaFAKTI

Spread the love