Një zyrtar i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) ka deklaruar se ka parë fëmijë në Gazë që duken në gjendje të rënduar për shkak të kequshqyerjes.
Duke folur për BBC-në, përfaqësuesi i OBSH-së për Bregun Perëndimor dhe Gazën, Dr. Rik Peeperkorn, tha se kequshqyerja është “në rritje” në Gazë.
“Vetëm në vitin 2025, flasim për gati 30 mijë fëmijë që janë të kequshqyer”, shpjegon ai.
Dr. Peeperkorn viziton shpesh Gazën dhe e ka përshkruar se si në udhëtimin e tij të fundit, ekipi i tij “pa një fëmijë që duket sikur është dy vjeç kur në të vërtetë është pesë”.
“Mungesa e furnizimeve bazë ushqimore po i prek të gjithë. Po prek edhe kolegët tanë në Gazë, një lloj letargjie kudo”, u shpreh ai.
Teksa kushtet në Gazë përkeqësohen, Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi tani po e ndan numrin e të vdekurve në kategori.
Sipas autoriteteve në Gazë, ditën e djeshme 33 persona, përfshirë 12 fëmijë, kishin vdekur nga kequshqyerja gjatë 48 orëve të fundit, duke e çuar numrin në 101, përfshirë 80 fëmijë në total.
Gjithashtu Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se 1,026 persona janë vrarë nga ushtria izraelite ndërsa kërkonin ndihmë ushqimore që kur sistemi i shpërndarjes së Fondacionit Humanitar të Gazës (GHF) i mbështetur nga SHBA-të dhe Izraeli filloi më 27 maj. Një shifër pak më e lartë, 1,054, u përdor nga OKB të martën.
Sipas OKB-së, rreth 87.8% e Gazës tani është e mbuluar nga urdhrat izraelitë të evakuimit ose është brenda zonave të militarizuara izraelite, duke e lënë popullsinë prej 2.1 milionë banorësh të shtrydhur në rreth 46 km katrorë tokë.
Në total, Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi raporton se të paktën 59,029 persona janë vrarë në Gazë që nga 7 tetori 2023, kur ushtria izraelite nisi një fushatë në përgjigje të sulmit të udhëhequr nga Hamasi në Izraelin jugor, në të cilin u vranë rreth 1,200 persona dhe 251 u morën peng.
