• E martë, 20 Janar, 2026

Ofensiva e madhe izraelite ka shkaktuar protesta dhe kritika

EA
Gusht21/ 2025

Operacioni ushtarak izraelit në qytetin e Gazës ka filluar. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Guterres, ka bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm. Presioni ushtarak nuk do t’i shpëtojë pengjet, por do t’i vrasë ata, protestuan të afërmit e tyre.

Mes përpjekjeve të reja ndërmjetësuerse për të arritur një armëpushim dhe për të liruar pengjet në Rripin e Gazës, Izraeli po e kryen ofensivën e tij të planifikuar në Qytetin e Gazës. Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, ka dhënë dritën jeshile për të mobilizuar 60,000 rezervistë dhe ka miratuar planin e ushtrisë izraelite për të pushtuar Qytetin e Gazës, tha një zëdhënës i ministrisë së mbrojtjes, njofton DW.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza. “Është thelbësore të parandalohen vdekjet dhe shkatërrimet që do të shkaktonte një operacion ushtarak kundër Gazës”, tha Guterres në margjinat e një konference në Japoni. Ai gjithashtu i bëri thirrje Izraelit të tërheqë vendimin e tij për të zgjeruar ndërtimin e vendbanimeve “të paligjshme” në Bregun Perëndimor.

Sulmet janë duke u zhvilluar tashmë në disa pjesë të qytetit


Ushtria izraelite ka thënë se synon të pushtojë Qytetin e Gazës dhe kampin e refugjatëve Al-Mawasi në Rripin qendror të Gazës. Një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha se faza e re e luftës do të përfshijë një “operacion gradual, të saktë dhe të synuar në dhe përreth Gazës”, duke përfshirë disa zona ku trupat nuk ishin vendosur më parë. Trupat aktualisht po kryejnë sulme në zonat Zaytoun dhe Jabaliya.

Shefi i ushtrisë, Eyal Samir, njoftoi të dielën miratimin paraprak të “fazës tjetër” të planeve për të marrë kontrollin e Gazës. Ushtria tani do të “përqendrojë” operacionet e saj në qytet në mënyrë që të mposhtë “me vendosmëri” organizatën terroriste islamike Hamas, thuhet në deklaratë.

Një zëdhënës i ushtrisë tha se po bëhen përpjekje për të siguruar evakuimin e sigurt të civilëve. Gjithashtu duhet të sigurohen furnizime të mjaftueshme me ndihmë humanitare. Ekzistojnë frikëra se ofensiva do ta përkeqësojë më tej situatën tashmë të rëndë për civilët në Rripin e Gazës. Që nga fillimi i luftës në Gaza gati dy vjet më parë, pothuajse të gjithë dy milionë banorët e rripit bregdetar janë zhvendosur brenda vendit. Më shumë se 70 përqind e shtëpive në Rripin e Gazës janë shkatërruar ose dëmtuar rëndë, thanë grupet e ndihmës, duke cituar imazhe satelitore. Në disa zona, kjo përqindje është deri në 80 deri në 90 përqind, shkruan DW.

Netanyahu dëshiron të përshpejtojë ofensivën

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka urdhëruar, sipas zyrës së tij, që Qyteti i Gazës të merret më shpejt se sa ishte planifikuar fillimisht. “Afati kohor për kapjen e fortifikimeve të fundit terroriste dhe mposhtjen e Hamasit” duhet të shkurtohet, tha zyra e tij, pa dhënë detaje. Megjithatë, raportet e medias thonë se ushtria izraelite pret një operacion afatgjatë për të pushtuar qytetin. Forcat e armatosura po përgatiten për “një operacion të zgjatur disamujor, që do të zgjasë deri në vitin 2026”, raportoi Radioja e Ushtrisë Izraelite.
Hamasi i ka quajtur planet e ushtrisë izraelite për të pushtuar Qytetin e Gazës një “shpërfillje flagrante” të përpjekjeve për të ndërmjetësuar një armëpushim. Ndërmjetësit e Katarit janë ende duke pritur një përgjigje zyrtare nga Izraeli mbi propozimin e tij të fundit për një armëpushim 60-ditor, i cili do të përfshinte lirimin e disa pengjeve. Propozimi, për të cilin Hamasi tha se ra dakord të hënën, kërkon lirimin e dhjetë pengjeve të gjallë izraelitë dhe kthimin në Izrael të trupave të 18 pengjeve të vdekur.

Të afërmit protestojnë për lirimin e pengjeve

Megjithatë, sipas burimeve qeveritare izraelite, Izraeli vazhdon të kërkojë lirimin e të 50 pengjeve. Sipas Izraelit, 20 prej tyre janë ende gjallë. Të afërmit e tyre protestuan dje në mbrëmje (20 gusht 2025) në zonën kufitare me Rripin e Gazës për lirimin e të afërmve dhe anëtarëve të familjes së tyre, shkruan DW.

“Presioni ushtarak nuk i shpëton pengjet, por i vret”, tha Ofir Braslavsky, babai i Rom Braslavsky. Hamasi shpërndau një video të të riut në fillim të gushtit, duke e treguar atë të dobësuar rëndë. “Dyzet e dy pengje hynë në Gaza në këmbë – dhe u kthyen në qese kufomash. Nuk dua që fëmija im të jetë numri 43”, tha Braslavsky. Maccabit Meir, tezja e vëllezërve binjakë Gali dhe Ziv Berman, akuzoi Netanyahun për rekrutimin e dhjetëra mijëra rezervistëve për një “mision të pakuptimtë” që “i vë në rrezik të dashurit tanë dhe vetë rezervistët”.

Spread the love