Parlamenti Evropian ka nisur procedurën për miratimin e një rezolute mbi Serbinë me titull “Valët e dhunës dhe përdorimi i vazhdueshëm i forcës kundër demonstruesve në Serbi”, me iniciativën e disa grupeve politike nga ky institucion.
Tema e rezolutës do të diskutohet në sesionin e parë të vjeshtës të Parlamentit Evropian, i cili është planifikuar për 8 shtator, sipas faqes zyrtare të PE-së për procedurat legjislative, shkruan N1.
Rezoluta klasifikohet si RSP (Rezolutë mbi çështjet aktuale), që do të thotë se i referohet çështjeve urgjente politike, demokratike ose të sigurisë që kërkojnë një reagim nga Parlamenti.
Në këtë rast, tema janë ngjarjet gjatë dhe pas protestave disamujore në Serbi, veçanërisht raportet për përdorimin e tepërt të forcës kundër demonstruesve, përfshirë studentët dhe të miturit.
Pritet që Parlamenti Evropian të miratojë një vlerësim politik të situatës, me një thirrje të mundshme për veprim ose rekomandime për institucionet evropiane dhe shtetet anëtare. Teksti i draftit nuk është publikuar ende.
Protestat disamujore në Serbi, të cilat provokuan vazhdimisht reagime nga publiku vendas dhe ndërkombëtar, rezultuan në akuza serioze për përdorim të tepruar të forcës nga autoritetet e sigurisë.
Në dhjetor 2024, u mbajt një debat plenar mbi krizën politike në Serbi, me fokus në protestat studentore dhe reagimin e autoriteteve pas tragjedisë në Novi Sad, por pa miratimin e një rezolute të veçantë.
Në shkurt, Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë mbi parregullsitë në zgjedhjet e dhjetorit, e cila kritikoi ashpër abuzimin e listave të votuesve, votuesit fantom, presionin mbi opozitën dhe kushtet e padrejta të medias.
Rezoluta bëri thirrje për një hetim të pavarur ndërkombëtar dhe sanksione të mundshme nga BE nëse do të kishte shkelje të mëtejshme të standardeve.
Në maj, PE miratoi një rezolutë si përgjigje ndaj raporteve vjetore të Komisionit Evropian për Serbinë, në të cilat u vu re përparim i kufizuar në procesin e integrimit evropian.
Theks i veçantë u vu në problemet në sundimin e ligjit, lirinë e medias dhe pavarësinë e institucioneve./ GazetaFAKTI
