Ne e mbështesim plotësisht Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj drejt BE-së. Mund të mbështeteni tek ne, shkroi Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në rrjetin social “X”, pas takimit me Kryeministrin Hristijan Mickoski.
“Hapi juaj i radhës dhe i vetëm para hapjes së negociatave është i qartë, dhe ai është të bëni ndryshime kushtetuese. Topi është në fushën tuaj. BE-ja është gati, shkroi shkurt Von der Leyen.
Presidentja e Komisionit Evropian theksoi se, ndërsa pret një hap politik nga Shkupi, Unioni tashmë po i afron qytetarët e Maqedonisë me tregun dhe teknologjitë evropiane.
“Ndërkohë, ne po i afrojmë njerëzit tuaj me ne. Ky është thelbi i Planit të Rritjes! Ne po hapim një antenë të Fabrikës së Inteligjencës Artificiale në Shkup, duke e përfshirë vendin në Zonën e Vetme Evropiane të Pagesave, dhe po disbursojmë **16 milionë euro falë reformave të zbatuara”, shkroi von der Leyen.
Kryeministri Hristijan Mickoski, në takimin e sotëm në Qeveri me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, theksoi se vendi pret një angazhim të qartë dhe konkret nga Bashkimi Evropian, si konfirmim i perspektivës evropiane dhe mbështetje për qytetarët që kanë mbetur të përkushtuar ndaj vlerave evropiane për dekada të tëra.
Siç u njoftua nga shërbimi për shtyp i qeverisë, në takim u diskutua perspektiva evropiane, progresi i proceseve reformuese, bashkëpunimi ekonomik, siguria energjetike dhe transformimi dixhital.
Kryeministri Mickoski theksoi vendosmërinë e Qeverisë për të përshpejtuar integrimin evropian të vendit përmes rezultateve konkrete dhe përmbushjes së standardeve evropiane.
Deklaratat e Von der Leyen i ka komentuar deputeti opozitar Arber Ademi.
“Bashkimi Evropian foli shumë qartë! Topi është në fushën e qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Por kjo qeveri, në vend që ta çojë vendin drejt Brukselit, po e zhyt në boshtin Beograd–Moskë,” – deklaroi Ademi në reagimin e tij publik.
Ai theksoi se izolimi i vendit nuk është rastësi, por pasojë e drejtpërdrejtë e politikave të gabuara të qeverisë aktuale, të cilat po shkaktojnë përçarje të brendshme dhe tensione ndëretnike, njofton TS.
“Izolimi i vendit është produkt i albanofobisë dhe i politikave antievropiane që po mbjellin ndasi në vend të integrimit, në vend të bashkëpunimit dhe harmonisë që kërkon rruga drejt BE-së,” nënvizoi Ademi.
Pardje, Presidentja e KE-së Von der Leyen filloi turneun e saj tre-ditor në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor nga Tirana, në kuadër të të cilit udhëtoi sot për në Shkup. Gjatë qëndrimit të saj në Shkup, Von der Leyen u takua edhe me Presidenten Gordana Siljanovska-Davkova dhe Kryetarin e Parlamentit, Afrim Gashi.
