• E mërkurë, 11 Mars, 2026

Përmbyten rajonet e Pollogut, Kërçovës, Sarajit dhe pjesëve të tjera në Maqedoninël e Veriut

EA
Shkurt16/ 2026

Reshjet e dendura problem shkaktuan edhe në Gostivar, Vrapçisht dhe Mavrovë-Rostushë, por me dëme më të vogla, transmeton TV21.

Në Gostivar dhe vendbanimet përreth janë raportuar shtëpi, bodrume dhe objekte afariste të përmbytura, si dhe dalje të ujërave nga shtrati dhe kanale të bllokuara.

U vërshuan disa rrugë të fshatrave Vrapçisht, Turqan dhe Llakavicë, duke shkaktuar vështirësi për lëvizje. Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, rruga e fshatit Padalisht u bllokua plotësisht. Në fshatin Forinë është raportuar dalje e lumit Vardar nga shtrati, me përmbytje të sipërfaqeve bujqësore dhe rrezik potencial për shtëpitë pranë urës drejt fshatit Tumçevishtë.

Qendra për Menaxhim me Krizat kumtoi se janë raportuar përmbytje të shtëpive në fshatin Bellovishtë, ku në një shtëpi u bllokuan një nënë me dy fëmijë, të cilët më pas u evakuuan.

Raportohet edhe bllokim i kanalit në fshatin Balindol, ku u përmbytën disa shtëpi.

Nga Komuna e Gostivarit informuan se ekipet komunale nga mëngjesi kanë qenë në terren për t’u dalë në ndihmë qytetarëve dhe për të minimizuar pasojat e shkaktuara nga përmbytjet. Shtojnë se situata është shkaktuar kryesisht nga dalja jashtë shtratit e kanaleve nën administrimin e Drejtorisë për Ekonomi të Ujërave, të cilat nuk janë në kompetencë të Komunës së Gostivarit.

Skena apokaliptike nga Kërçova po përhapen në rrjetet sociale pasi reshjet e dendura të shiut shkaktuan derdhjen e një sasie të madhe uji dhe përmbytjen e rrugëve, oborreve dhe ndërtesave të banimit. Videot tregojnë se si ujërat e rrëmbyeshëm lëvizin nëpër zonat e populluara, duke transportuar baltë dhe mbeturina dhe duke shkaktuar dëme serioze.

Sipas informacioneve, uji ka depërtuar në bodrume dhe katet përdhese të shtëpive, ndërsa disa rrugë janë bërë të pakalueshme. Banorët dëshmojnë se niveli i ujit është rritur në një kohë shumë të shkurtër, duke detyruar disa familje të largohen nga shtëpitë e tyre.

Autoritetet lokale kanë formuar një shtab krize, dhe zjarrfikësit, shërbimet komunale dhe Kryqi i Kuq janë vendosur në terren. Në pjesët më kritike të qytetit, banorët u evakuuan dhe u ofrua ndihmë e përkohshme – ushqim, ujë dhe produkte higjienike.

Disa pjesë të fshatrave Arnaqi, Bukoviq, Semenishtë të komunës së Sarajit u përmbytën pas shirave të dendur. Shumë shtëpi e pësuan edhe me dëme materiale. Uji në disa vende arrinte edhe deri në një metër.
Pas raportimeve për shtëpi të përmbytura, Qendra për Menaxhim me Kriza aktivizoi shërbimet kompetente dhe koordinimin në terren.
Ekipet e Brigadës zjarrfikëse të Qytetit të Shkupit, së bashku me ato të Tetovës, u erdhën në ndihmë banorëve për të tërhequr ujin nga oborret.
NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” bëri pastrimin e rrjetit të kanalizimeve për të parandaluar përmbytje të mëtejshme.
Në terren bashkë me ekipet e ndërmarrjeve ishin edhe kreu i Sarajit Muamet Elmazi, drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza Muhamed Ali, zëvendëskryeministri Bekim Sali dhe ministri i mjedisit Muamet Hoxha.

Rrugë të vërshuar nga ujërat kishin edhe disa fshatra të tjerë, si Llaskarca dhe Nigishtani.


Nga QMK kumtuan se shërbimet kompetente mbeten në terren deri sa situata të stabilizohet plotësisht.

Spread the love