Një pjesë e konsiderueshme e pensionistëve gjermanë, 42 përqind e 19 milionëve, kanë pensione më pak se 1,000 euro, bën të ditur agjencia gjermane e lajmeve DPA.
Shifra u publikua nga Ministria e Punës në përgjigje të një pyetjeje nga ligjvënësi René Springer i partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) dhe i referohet të dhënave deri më 31 dhjetor 2024.
Pensionet e më shumë se tetë milionë njerëzve ishin më të pakta se ndihma sociale, ose ndihma në para për shpenzimet e jetesës, e cila arriti në 1,011 euro në fund të vitit 2024. Springer kritikoi qeverinë, duke thënë se në vend që të rriste pensionet, shteti i mirëqenies po “minohej nga migrimi masiv i varfërisë”.
Ministria tha se ndihma sociale nuk mund të jepej vetëm në bazë të shumës së pensionit, pasi të ardhurat e tjera dhe rrethanat familjare nuk merreshin parasysh. Shumat e pensioneve llogariten individualisht, varësisht nga sa ka fituar një person gjatë viteve të punës, sa kontribute ka paguar në fondin e pensioneve dhe sa vite kontribute ka paguar.
Sipas Institutit Gjerman të Sigurimeve të Pensioneve, pensioni mesatar vitin e kaluar ishte 1,154 euro, krahasuar me 1,102 euro në vitin 2023. Burrat morën mesatarisht 1,405 euro, ndërsa gratë 955.
