Në Izrael janë thelluar përplasjet mes qeverisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe komandës ushtarake, ndërsa disa ministra po kërkojnë një ofensivë të re dhe të plotë në Gaza, me qëllim rimarrjen e gjithë territorit.
Benjamin Netanyahu do të thërrasë një takim të Këshillit të Sigurimit nesër në orën 6 pasdite në zyrën e tij në Jerusalem. Takimi do të përqendrohet në mundësinë e një pushtimi të plotë ushtarak të Rripit të Gazës nga Forcat e Armatosura Izraelite.
Shefi i shtabit Eyal Zamir shprehet kundër ripushtimit të plotë, duke paralajmëruar rrezik për pengjet, mbingarkesë për trupat dhe pasoja humanitare.
Netanyahu zhvilloi takime urgjente me komandantët ushtarakë përpara një mbledhjeje të rëndësishme të kabinetit të sigurisë.
Ndërkohë, negociatat për armëpushim me Hamasin kanë dështuar, dhe opsionet ushtarake po konsiderohen si rrugë për lirimin e pengjeve.
SHBA nuk ka dhënë një qëndrim të prerë për zgjerimin e ofensivës, ndërsa kriza humanitare në Gaza po përkeqësohet.
Analistët paralajmërojnë se një ofensivë e plotë do të kërkonte forca shtesë dhe rrezikon të përshkallëzojë konfliktin.
Ndërkohë udhëheqësi i opozitës thotë se pushtimi i Gazës është një ide shumë e keqe. Në të njëjtën kohë, Netanyahu u takua me udhëheqësin e opozitës Yair Lapid, në prani të sekretarit ushtarak, për ta informuar atë për zhvillimet e fundit.
“I thashë Netanyahut se pushtimi i Gazës është një ide shumë e keqe. Nuk duhet të vazhdosh me një veprim të tillë nëse nuk ke shumicën e popullit me vete,” tha Lapid pas takimit.
Udhëheqësi i opozitës theksoi gjithashtu se populli i Izraelit nuk e dëshiron këtë luftë dhe do të paguajë një çmim tepër të lartë nëse një plan i tillë zbatohet.
