Krerët e shtetit të Kosovës nuk e kanë uruar ende kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama pas betimit të tij dhe kabinetit të ri qeverisës.
Më 19 shtator, kabineti “Rama 4” bëri betimin në Presidencën e Shqipërisë, duke nisur zyrtarisht detyrën për mandatin e katërt e që është katërvjeçar.I pari që ka uruar kryeministrin Rama për riemërimin e tij në këtë detyrë është presidenti i Ukrainës, Volodymir Zelensky.
Në një mesazh në rrjetet sociale, Zelensky shprehet se pret me padurim vijimin e bashkëpunimit.
“Urime Edi Ramës për riemërimin e tij si Kryeministër i Shqipërisë. Pres me padurim të vazhdojmë dialogun tonë të shkëlqyer dhe të punojmë së bashku për të arritur paqe dhe siguri të qëndrueshme për të gjithë Evropën”, u shpreh Presidenti Zelensky.Zelensky i uroi kryeministrit Rama çdo sukses në zbatimin e planeve të tij ambicioze për Shqipërinë, përfshirë edhe në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimit Europian.
Ramën e ka uruar edhe kreu i Partisë për Bashkimin Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ahmeti i shprehu kreut të qeverisë përkrahjen e tij në “mbështetje të Shqipërisë evropiane dhe të ecjes pa asnjë ndalesë, me hapa të sigurt dhe të shpejtë, drejt integrimit të plotë evropian”.Ministri i jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar i dërgoi mesazh urimi Kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Jashtme Elisa Spiropali, pas betimit në Presidencë dhe marrjes zyrtarisht të detyrave të tyre.
Ministri Sa’ar shkruan se Izraeli vlerëson miqësinë e gjatë midis kombeve tona dhe veçanërisht miqësinë e Kryeministrit Rama.
Megjithatë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk ka bërë asnjë reagim publik apo postim në rrjetet sociale që lidhet me rizgjedhjen dhe betimin e Ramës si kryeministër i Shqipërisë.Njëjtë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk ka uruar Ramën për mandatin e ri, pas zgjedhjeve të mbajtura në Shqipëri, më 11 maj.
As kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, nuk ka shprehur publikisht urime për Edi Ramën lidhur me mandatin e ri. Megjithatë, një ditë më parë, ai ka zhvilluar një takim me Ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, ku ka përgëzuar zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit të Shqipërisë, por pa përmendur Ramën.
Edhe krerët e partive të tjera politike në Kosovë, përfshirë Partinë Demokratike të Kosovës, Lidhjen Demokratike të Kosovës, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismën Socialdemokrate, nuk kanë bërë ende ndonjë urim publik për Edi Ramën me rastin e fillimit të mandatit të tij të katërt si kryeministër i Shqipërisë.
I vetmi urim nga Kosova që deri tash dihet është ai i ministres në detyrë të Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, e cila ka uruar ministren e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali por pa përmendur askund kryeministrin Rama.
Lidhur me këtë KosovaPress ka pyetur edhe zyrën për media në Qeverinë e Shqipërisë, por se të njëjtin nuk janë përgjigjur./KosovaPress.
