Gjykata e OKB-së për krime lufte hodhi poshtë të martën një kërkesë të ish-gjeneralit serb të Bosnjës Ratko Mlladiç, i cili po vuan një dënim me burgim të përjetshëm për rolin e tij në luftën e viteve 1992-1995 në Bosnje dhe Hercegovinë, për t’u liruar menjëherë në Serbi për arsye shëndetësore
Megjithëse gjykata pranoi se gjendja e të dënuarit 83-vjeçar për gjenocid dhe krime lufte është “delicate” dhe se atij nuk i ka mbetur shumë jetë, ajo këmbënguli se Mlladiçi po merr kujdes mjekësor të cilësisë së lartë gjatë paraburgimit në Holandë.
Presidentja e Mekanizmit, gjykatësja Graciela Gatti Santana, theksoi në vendimin e saj se “opinione mjekësore të pakontestuara tregojnë se Mlladiçi është pranë fundit të jetës”, dhe se gjendja e tij aktuale “që kërkon varësi nga të tjerët për kryerjen e aktiviteteve të përditshme, është delikate”.
Por ajo deklaroi se “Mlladiçi vazhdon të marrë kujdes shumë të gjithanshëm dhe njerëzor, siç mbështetet gjerësisht nga raportet mjekësore”.
Gatti Santana shtoi se informacionet që ajo ka “tregojnë se rrethanat bindëse humanitare të përmendura nga Mlladiçi si bazë për lirimin e tij nuk janë të mbështetura me prova”.
“Mlladiçi nuk vuan nga ndonjë sëmundje terminale akute që do të mund të justifikonte lirimin e tij dhe kushtet aktuale në UNDU (Njësia e Paraburgimit e Kombeve të Bashkuara) dhe JCvSZ (Qendra Gjyqësore për Kujdesin Somatik, spitali i burgut) i ofrojnë atij kujdes cilësor të përshtatur me gjendjen e tij specifike”, shpjegoi ajo.
Në qershor, avokatët e Mlladiçit paraqitën një kërkesë urgjente në Mekanizëm për lirimin e tij për arsye humanitare, duke argumentuar se ai tashmë është transferuar në kujdes paliativ dhe i kanë mbetur vetëm disa muaj jetë.
Duke kërkuar lirimin e përkohshëm ose lirimin e parakohshëm me kushte për 83-vjeçarin e dënuar për gjenocid dhe krime lufte, kërkesa theksonte se “jeta e kufizuar e Mlladiçit është një çështje qendrore humanitare që duhet të ketë peshë vendimtare”.
Mlladiçi u shpall fajtor në qershor të vitit 2021 me vendim përfundimtar për gjenocidin ndaj boshnjakëve të Srebrenicës, përndjekjen e boshnjakëve dhe kroatëve në gjithë vendin gjatë luftës, terrorizimin e popullsisë së Sarajevës me një fushatë bombardimesh dhe sulmesh me snajper gjatë rrethimit të qytetit, si dhe marrjen peng të paqeruajtësve të OKB-së.
Ai u dënua me burgim të përjetshëm.
Gjatë qëndrimit të tij në paraburgim në Holandë, Mlladiçi ka pasur disa probleme serioze shëndetësore dhe ka pësuar dy ishemi dhe një atak kardiak. Avokatët e tij kanë pretenduar vazhdimisht se ai nuk ka marrë trajtim të duhur dhe se problemet e tij shëndetësore janë nënvlerësuar. Gjykata e OKB-së ka refuzuar në mënyrë të përsëritur kërkesat për ta dërguar atë në spital për trajtim.
