Në incidentin, i cili ndodhi për shkak të marrëdhënieve të pazgjidhura familjare midis dy grupeve, dy persona pësuan lëndime të rënda, dhe disa të tjerë u plagosën lehtë.
Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka nisur procedurë kundër tetë personave për pjesëmarrje në një rrahje masive që ndodhi më 16 gusht në rrugën “Slavej Planina” në Shkup.
Në incidentin, i cili ndodhi për shkak të marrëdhënieve të pazgjidhura familjare midis dy grupeve, dy persona pësuan lëndime të rënda trupore, ndërsa disa të tjerë u plagosën lehtë.
Një person dyshohet për tentativë vrasjeje pasi plagosi rëndë një person nga grupi kundërshtar me një dërrasë druri. I lënduari pësoi frakturë në kafkë dhe hemorragji në tru. Edhe pse burri në fjalë është një i ri që së fundmi mbushi 18 vjeç, Prokuroria propozoi një masë arresti shtëpiak për shkak të rrezikut të arratisjes, ndikimit te dëshmitarët ose përsëritjes së krimit.
Një i dyshuar tjetër akuzohet për shkaktim të lëndimeve të rënda trupore pasi ia theu nofullën e poshtme njërit prej pjesëmarrësve në rrahje me grushte.
Gjashtë personat e tjerë dyshohen për krimin e pjesëmarrjes në rrahje. Për ta janë propozuar masa paraprake.
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) gjithashtu informoi dje për rastin, duke thënë se natën midis 16 dhe 17 gushtit, S.D. (50), S.S. (56), A.A. (19), S.D. (18), J.R. (21), A.D. (25), S.D. (18) dhe D.D. (31), të gjithë nga Shkupi, u privuan nga liria në stacionin policor të Bit-pazarit. Personat u privuan nga liria pas një njoftimi të mëparshëm se më 16 gusht, rreth orës 19:00 në rrugën Slavej Planina, ata ishin duke u përleshur fizikisht me njëri-tjetrin, duke përdorur sende të ndryshme të forta dhe të mprehta. Në përleshje, siç informoi MPB, S.D. (33) dhe A.D. (27), të dy nga Shkupi, pësuan lëndime të rënda trupore, ndërsa disa persona të tjerë u plagosën.
