Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, James Rubin ka përfunduar dëshminë e tij treditore në mbrojtje të ish-udhëheqësve të UÇK-së. Ai deklaroi se ishte privilegj për të të flasë, pavarësisht kohës së gjatë të dëshmisë, duke e konsideruar atë një përdorim të rëndësishëm të kohës së tij.
Gjatë dëshmisë, Rubin sqaroi se nuk kishte njohuri për disa lëvizje të personave të përfshirë, duke konfirmuar se Hashim Thaçi nuk kishte qenë “asnjë lloj komandanti kryesor” gjatë periudhës në fjalë.
Ai rikujtoi gjithashtu komunikimet e tij me Thaçin dhe periudhën e marrëveshjes së Rambujesë, duke sqaruar përdorimin e termit “tradhtar” që u referua si perceptim personal dhe jo deklaratë direkte e Thaçit.
Rubin theksoi se epiteti ishte një përmbledhje e situatës dhe presionit të madh mbi Thaçin në atë kohë, dhe se interpretimet e mëvonshme mund të kenë ndryshuar fjalët origjinale të tij.
Në fund të dëshmisë së tij, Rubin tha para trupit gjykues se ka qenë “privilegj për mua të jem këtu”.“Dëshiroj të them që ka qenë privilegj për mua të jem këtu, pavarësisht që zgjati pak si shumë, është një kënaqësi e madhe për mua dhe është një përdorim shumë i rëndësishëm i kohës time dhe është shumë me rëndësi për mua që isha këtu dhe ju thash mendimet e mia dhe tash dëshminë time në këtë çështje”, tha Rubin para se të linte bankën e dëshmitarëve në gjykatoren e Dhomave të Specializuara.
Paraprakisht, ai në pyetjet e avokatit, Luka Misetiç, u pyet se nga kush kishte kuptuar që kishte fletarrest për Hashim Thaçin nga Serbia.
“Disa prej këtyre gjërave ngelin në kokë, nuk më kujtohet kush më ka thënë saktësisht për fletarrestin që ishte lëshuar ndaj zotëri Thaçit, a më ka thënë dikush apo e kam lexuar, por më duket që më ka thënë lidhur me vështirësinë e situatës në të cilën gjendej, se si duhej të kalonte përmes maleve kur udhëtonte, të fshihej dhe si erdhi pastaj ekzistenca e fletarrestit në kokën time nuk më kujtohet saktë”, deklaroi Rubin.Ai e ka pyetur edhe se ku ka qenë Hashim Thaçi nga nëntori i vitit 1998 deri në qershor të vitit 1999.
Në gjykatore është shfaqur edhe një deklaratë e Albin Kurtit, i cili në atë kohë ishte sekretar i Adem Demaçit, me titullin “asnjë vendim politik pa pëlqimin e Adem Demaçit”.
