• E martë, 20 Janar, 2026

Rubin: Nuk kemi gjetur asnjë informacion për ekzekutime dhe vrasje të lidhura me Thaçin dhe Krasniqin

EA
Shtator16/ 2025

Ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James Rubin tha se nuk kanë gjetur asnjë informacion që lidhet me pretendimet për ekzekutime dhe vrasje të Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit. Ai tha se Krasniqi e Thaçi ishin të moderuar dhe që donin të nënshkruhej marrëveshja e Rambujesë.

“Ne nuk kemi gjetur asnjë të dhënë, asnjë provë, asnjë informacion që lidhte pretendime të tilla për ekzekutime dhe për vrasje me udhëheqës të tillë, as me zotëri Krasniqi, as me zotëri Thaçi. Rreth 25 vite pasi janë larguar nga qeveria kam pyetur të gjithë ata që mund të kishin pasur informacion lidhur me këtë pretendim dhe jo vetëm në vitin 2000, por edhe dekada më vonë kur miq dhe shokë të mi kishin mundësi që të më japin informacione, asnjëherë nuk më kanë dhënë të dhëna ose informacione që bëjnë lidhjen e këtyre pretendimeve me ndonjë nga drejtuesit e UÇK-së”,deklaroi Rubin.

Ai u pyet edhe lidhur me një intervistë që kishte dhënë më parë, ku Rubin kishte folur për kërcënimet e mëdha dhe se si “Rusia ka përdorur dezinformimin ose keqinformimin nëpër gjithë botën”.
Në pyetjet e mbrojtjes së Krasniqit, Rubin tha se Krasniqi e Thaçi ishin të moderuar dhe që donin të nënshkruhej marrëveshja e Rambujesë.
“Personat që ishin kundër Rambujesë dhe ishin të gatshëm që të masakronin, të vinin në rrezik jetën e mijëra e mijëra qytetarëve të pafajshëm. Nga njëra anë kishim këta persona ekstremistë, por nga ana tjetër ne kishim persona moderuar si zotëri Krasniqi dhe zotëri Thaçi që donin që të nënshkruhej marrëveshja e Rambujesë në mënyrë të tillë që Kosova të çlirohej në mënyrë të tillë që të përfitonin nga mbështetja e perëndimit dhe pa qenë e nevojshme të sakrifikonin jetën e mijëra njerëzve”, deklaroi ai.

Ish-ndihmëssekretari amerikan i shtetit, James Rubin tha që Hashim Thaçi nuk ishte në gjendje që të nënshkruante, sepse delegacioni shqiptar i pranishëm në Rambuje duhet që të konsultohej me komandantët në Kosovë.

Dëshmia e James Rubin është në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Ai në gjykatore është i shoqëruar nga dy përfaqësuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai ka treguar para trupit gjykues se gjatë periudhës 1997-2000 ka shërbyer si ndihmëssekretar i Shtetit për çështjet publike dhe si zëdhënësi kryesor që ka raportuar drejtpërsëdrejti përpara sekretares së shtetit, Madeleine Albright.

Gjatë angazhimit për konferencën e Rambujesë, Rubin ka thënë se është takuar disa herë me Thaçin, për të cilin tha se “ishte i shqetësuar që nuk do ta kishte autoritetin ose lejen e plotë për ta nënshkruar marrëveshjen e Rambujesë”.

Spread the love