Mbrëmë, Rusia kreu sulmin më të madh ajror ndaj Ukrainës që nga fillimi i luftës. Rreth 800 dronë dhe raketa u qëlluan, dhe ndërtesa e qeverisë ukrainase në Kiev u dëmtua për herë të parë.
Të paktën tre civilë u vranë në sulme, përfshirë një fëmijë dy muajsh.
“Bisedimet ruse për paqe janë të pakuptimta ndërsa sulmet vazhdojnë dhe përshkallëzohen. Rusia duhet të bjerë dakord për një armëpushim të menjëhershëm”, tha kryeministri norvegjez Jonas Gahr Støre.
Kryeministri finlandez Petteri Orpo bëri thirrje për “intensifikim të presionit dhe sanksioneve kundër Rusisë”.
Kryeministrja ukrainase Yulia Sviridenko publikoi një video nga brenda ndërtesës qeveritare që u shkatërrua në një sulm rus mbrëmë.
Reagimi i Washigtonit
Shtetet e Bashkuara janë të hapura për bashkëpunim me vendet evropiane për futjen e sanksioneve të reja ndaj vendeve që blejnë naftë ruse, me qëllim dobësimin e ekonomisë ruse, raporton NBC News.
“Jemi të gatshëm të rrisim presionin ndaj Rusisë, por kemi nevojë që partnerët tanë evropianë të na ndjekin”, tha Sekretari i Thesarit të SHBA-së, Scott Bessent, në emisionin “Meet the Press”, duke shtuar: “Po bëjmë garë me kohën – pyetja është se sa mund të zgjasë ushtria ukrainase dhe sa do të zgjasë ekonomia ruse”.
“Nëse SHBA-të dhe BE-ja futin sanksione shtesë, duke përfshirë tarifa dytësore për vendet që blejnë naftë ruse, ekonomia ruse do të shembet plotësisht dhe kjo do ta detyrojë Putinin të ulet në tryezën e negociatave”, shtoi ai.
Muajin e kaluar, administrata e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, vendosi tarifa prej 50 përqind ndaj Indisë për blerjen e naftës ruse – ndër më të lartat që i ka vendosur ndonjëherë një vendi.
Është domethënëse që deklarata e ministrit të financave të Trump erdhi vetëm disa orë pasi Rusia kreu sulmin më të madh ajror që nga fillimi i luftës, i cili vrau të paktën tre persona dhe i vuri flakën ndërtesës qeveritare në Kiev.
