• E premte, 23 Janar, 2026

SHBA-të dhe BE-ja arrijnë një marrëveshje historike tregtare

EA
Korrik28/ 2025

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë arritur një marrëveshje tregtare, njoftoi Presidenti i SHBA-së Donald Trump të dielen pas dite. Në rast se nuk arrihej asnjë marrëveshje dhe SHBA-të vendosnin tarifa prej 30 përqind më 1 gusht, BE-ja kishte përgatitur kundër-tarifa për mallra amerikane me vlerë 93 miliardë euro.

Marrëveshja përfshin tarifa prej 15% për mallrat e BE-së që hyjnë në SHBA dhe parashikon që BE të blejë sasi të konsiderueshme të energjisë dhe pajisjeve ushtarake amerikane.
Deklarata vjen pasi presidenti i SHBA-së u takua me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në një nga resortet e tij të golfit në Skoci. Trump tha se marrëveshja me BE-në ishte “marrëveshja më e madhe e arritur ndonjëherë” dhe se do të ishte “e shkëlqyer për makinat”.

“Ne arritëm një marrëveshje. Është një marrëveshje e mirë për të gjithë”, tha Trump. “Do të na afrojë më shumë… është një partneritet në një farë mënyre”, shtoi ai.

Shefja e BE-së Ursula von der Leyen gjithashtu e përshëndeti atë si një “marrëveshje të jashtëzakonshme” që erdhi pas “negociatave të vështira”.

Ajo konfirmoi se do të kishte tarifa amerikane për mallrat evropiane prej 15 përqind për të gjitha. Uashingtoni më parë kishte kërcënuar me një tarifë prej 30 përqind.

Marrëveshja përfshin gjithashtu premtime për miliarda dollarë në investime dhe blerje energjie nga Brukseli.

Trump ka thënë më parë se çështja kryesore ishte “drejtësia”, duke përmendur pengesat për eksportet amerikane të makinave dhe produkteve bujqësore.

Ai hyri në bisedime duke kërkuar tregti më të drejtë me BE-në 27 anëtarëshe dhe duke kërcënuar me tarifa të larta për ta arritur këtë, duke këmbëngulur që SHBA-të të mos binin nën 15 përqind të detyrimeve të importit.

Për muaj të tërë, Trump ka kërcënuar shumicën e vendeve në botë me tarifa të larta me shpresën e uljes së deficiteve të mëdha tregtare të SHBA-së me shumë partnerë kryesorë tregtarë, përfshirë BE-në.

Në rast se nuk arrihej asnjë marrëveshje dhe SHBA-të vendosnin tarifa prej 30 përqind më 1 gusht, BE-ja kishte përgatitur kundër-tarifa për mallra amerikane me vlerë 93 miliardë euro.

Përpara takimit të tyre sot, von der Leyen e përshkroi Trumpin si një “negociator dhe negociator të ashpër”. Ajo bëri thirrje për një ribalancim të miliarda dollarëve në tregtinë dypalëshe.

Shkëmbimi i mallrave dhe shërbimeve midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian është një nga marrëdhëniet më të mëdha tregtare në botë. Ato janë partnerët më të mëdhenj tregtarë dhe investues të njëra-tjetrës.

Tregtia totale e mallrave midis BE-së dhe Shteteve të Bashkuara në vitin 2024 u vlerësua në 975.9 miliardë dollarë. Së bashku, ato përbëjnë pothuajse një të tretën e tregtisë globale të mallrave dhe shërbimeve.

Vitin e kaluar, Shtetet e Bashkuara importuan rreth 606 miliardë dollarë mallra nga BE-ja dhe eksportuan rreth 370 miliardë dollarë. Ky çekuilibër, ose deficit tregtar, është një çështje kyçe për Trump.

Ai thotë se marrëdhënie të tilla tregtare nënkuptojnë se Shtetet e Bashkuara po “humbin”.

Spread the love